Analisti dhe sociologu Ergys Mërtiri debatoi në emisionin “Të Paekspozuarit”, në MCN TV, me deputetin e PD-së, Ervin Salianji për qëllimin e betejës politike të opozitës. Mërtiri tha se opozita po lufton për të mbrojtur liderin Berisha nga akuzat e ngritura nga SPAK. Sipas tij që opozita të jetë e besueshme duhet të distancohet nga Berisha, që po hetohet.
Pjesë nga biseda
Mërtiri: Të bësh obstruksion është kur ke konsumuar të gjitha rrugët institucionale. Çështja nuk ka shkuar ende në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk e di pse nuk e çojnë. Gjykata Kushtetuese është shprehur se opozita ka të drejtë të kërkojë komisione hetimore.
Sajianji: Po për çfarë ta çojmë prapë në Gjykatën Kushtetuese? Ja t’i çojmë Gjykatës Kushtetuese ne të pestë një shkresë se a lejohet të bëhet emision?
Mërtiri: Nëse Gjykata Kushtetuese ju jep të drejtë, Edi Rama nuk ka nga të luajë.
Salianji: Jo, ka nga ta luajë. Gjykata Kushtetuese ka më shumë se një vit që ka dhënë një vendim për konfliktin e interesit të ish-ministres së Jashtme. Parlamenti ka mëse një vit që e sjell rrotull.
Mërtiri: Obstruksion ka bërë Vetëvendosje në Kosovë për çështjen e kufijve dhe të Zajednicës që janë çështje madhore, Sigurisht kjo është çështje e rëndësishme, por jo aq madhore sa ti të pengosh punimet e kuvendit.
Rakipi: Përpjekja për të vrarë opozitën është çështje kryesore.
Mërtiri: Opozita ka vrarë veten, Rama vetëm po tallet këtu. Që kauza të shkojë deri në fund duhet të kesh legjitimitet. Ato që kërkon opozita janë legjitime, por njerëzit e kuptojnë se qëllimi i opozitës është që të shkaktojë zhurmë, sepse ka një hall tjetër. Lideri i opozitës është përballë SPAK-ut dhe nuk ka sens dhe legjitimitet kur ky që hetohet nga SPAK të kërkojë të hetojë qeverinë. Që kjo opozitë të jetë e besueshme, duhet të distancohet nga ai që po hetohet dhe t’i thotë që ti dili për vete zot kësaj për të cilën hetohesh, mos na njollos të gjithëve me problemet e tua dhe na lër të bëjmë opozitën derisa të sqarosh këtë çështje. Njerëzit e kuptojnë që gjithë kjo bëhet që Berisha të mbrohet nga SPAK. Kjo tregon që opozita është e dobët sepse nuk i mbështet kush. Kur opozita nuk e ka këtë fuqi, bën këto. Sot kur Berisha është nën hetim bënë stuhi në parlament. Kjo bëhet kur nuk ke mjete politike.
/a.r