Sot ishte e hëna e parë e muajit nëntor dhe dita e parë që në bazë të vendimit të GJKKO-së, Sali Berisha ishte i detyruar të paraqitej në orën 10:00 të paradites në SPAK i akuzuar për korrupsion pasiv lidhur me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
Ashtu siç edhe kishte paralajmëruar, Berisha nuk u paraqit pranë oficerit të Policisë Gjyqësore dhe shkoi rreth të njëjtës orë në Kryesinë e Kuvendit për mbledhjen e grupit të PD-së. Për këtë çështje u diskutua këtë të hënë në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN.
Analisti Plator Nesturi u shpreh se Sali Berisha po tentojë të zhbëjë organet e drejtësisë së re, por sipas tij, ai është i vogël përballë kësaj reforme të madhe.
“SPAK-u duhet ta kishte treguar veten që në fillim efikas në të gjitha procedurat. Problemi është nga zoti Berisha, duket sikur synohet shumë më tepër dhe shumë më lartë se çështja që ka. Ai po kërkon të zhbëjë, të çmontojë në sytë e opinionit, organet e drejtësisë, drejtësinë e re.
Berisha është ai që është, por sado peshë politike që të ketë, është shumë i vogël përballë një procesi kaq të madh siç është bërë çështja e reformës në drejtësi. Unë e them se do të gjendet patjetër mënyra për të shkuar në shtratin e vet normal si një proces që duhet ta ndajë njëherë e mirë çështjen Berisha me drejtësinë dhe argumentet politike”, tha Nesturi në A2 CNN./m.j