Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dënuar incidentet sot në Kryesinë e Kuvendit, ku Garda pengoi futjen në institucion të deputetëve të opozitës.
Meta theksoi se Partia e Lirisë mbështet vendosmërisht qëndrimin e opozitës, si dhe kërkesat e saj për garantimin e ngritjes të komisioneve hetimore në Kuvend.
REAGIMI I METES
Dënoj me ashpërsi militarizimin e institucionit më të rëndësishëm të Republikës, Kuvendit të Shqipërisë.
Asgjësimi i të drejtave kushtetuese të opozitës është sulm ndaj pluralizmit politik dhe llogaridhënies para qytetarëve.
Partia e Lirisë mbështet vendosmërisht qëndrimin e opozitës e në veçanti:
Garantimin e ngritjes të komisioneve hetimore në Kuvend;
Të drejtën e opozitës për të zgjedhur përfaqësuesit e saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore;
Garantimin e shqyrtimit të të gjitha projektligjeve që opozita ka depozituar në Kuvend dhe që bllokohen prej vitesh.
Deputetët e opozitës përfaqësojnë zërin e mbi 700 mijë qytetarëve të cilët kanë të drejtë të dëgjohen.
Kjo krizë e rëndë nuk zgjidhet me Gardën e Republikës por me respektimin e Kushtetutës dhe Rregullores të Kuvendit, si baza e funksionimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
/f.s