Forcat Mbrojtëse të Izraelit të njohura si IDF kanë njoftuar se forcat tokësore, ajrore dhe ato detare kanë sulmuar mbi 2500 objektiva të militantëve të Hamasit, që nga fillimi i konfliktit në Gazë. Gjatë mbrëmjes së kaluar, thuhet në raportin e ushtrisë izraelitë se trupat e tyre me aeroplanë kanë sulmuar kompleksin ushtarak të Hamasit, për të cilin pretendojnë se përmbante “qendër komanduese dhe pika vrojtimi”.
Gjithashtu kanë bërë të ditur se po vazhdojnë me “eliminimin e terroristëve”. Në anën tjetër akoma mbetet e paqartë se çfarë ka ndodhur mbrëmë, por nga ministria e Shëndetësisë në Gazë që udhëhiqet nga Hamasi, thuhet se mbi 30 persona janë vrarë në sulmet ajrore të izraelitëve në kampin e refugjatëve.
Ndërkohë, izraelitët kanë bërë të ditur se po hetojnë nëse trupat e tyre në atë kohë po operonin në atë zonë.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka njoftuar se mbi 9.400 persona janë vrarë nga 7 tetori, kur izraelitët filluan bombardimet në Rripin e Gazës në shenjë hakmarrje ndaj sulmit të Hamasit mbi qytetet izraelite, ku si pasojë humbën jetën 1.400 persona dhe 240 tjerë u morën peng.
/a.d