Deri në vitet 1960, vdekja e një qenieje njerëzore tregohej nga ndërprerja e pakthyeshme e rrahjeve të zemrës, por në vitin 1980 përkufizimi i vdekjes u rishikua për të nënkuptuar “vdekjen e trurit”. Por nëse ka pasur ndonjëherë një konsensus për këtë çështje, ai konsensus tashmë nuk ekziston më.
Nga Peter Singer dhe Charles Camosy
“Çfarë nuk kuptoni? Ajo ka vdekur. Ka vdekur.” Kështu u përpoq David Durand, shefi i pavionit të Spitalit të Fëmijëve në Oakland, të bindte familjen e Jahi McMath se testet standarde mjekësore për vdekjen e trurit kishin treguar se vajza e tyre adoleshente nuk ishte më gjallë.
Rasti i Jahi McMath ringjalli interes (dhe debat) mbi çfarë do të thotë të vdesësh. Disa vite më herët u duk se kishte një konsensus mbi faktin se vdekja e trurit është vdekje. Por nëse një konsensus i tillë ka ekzistuar ndonjëherë, ai nuk ekziston më.
Deri në vitet 1960, vdekja tregohej nga ndërprerja e pakthyeshme e rrahjeve të zemrës së një personi. Por shpikja e një aparature që mund të mbante gjallë njerëzit truri i të cilëve ishte dëmtuar rëndë, kombinuar me suksesin e transplanteve të organeve, bëri që një Komitet i Harvardit të rekomandonte “vdekjen e trurit” si një standard të ri për të përcaktuar se kur dikush kishte vdekur.
Çuditërisht, ky ndryshim thelbësor në të kuptuarit tonë se kur një qenie njerëzore vdes, ndodhi me shumë pak diskutime apo shqyrtime publike. Pak e dinin, për shembull, se, siç ka zbuluar hulumtimi arkivor, Komiteti i Harvardit diskutoi në mënyrë eksplicite nevojën për të ndryshuar përkufizimin e vdekjes në mënyrë që më shumë organe të jenë të disponueshme për transplantim.
Vdekja e trurit u bë një koncept praktikisht i padiskutueshëm – prandaj ishte edhe zhgënjimi i Durand-it me refuzimin e familjes McMath për të pranuar se, pavarësisht nga rrahjet e zemrës dhe trupit të ngrohtë të Jahi-t, ajo kishte vdekur. Por ai rast luajti një rol kyç në thyerjen e konsensusit, siç bënë disa raste në të cilat një grua “e vdekur” sillte në jetë një fëmijë të gjallë. Një nga këto solli lajmin me titull: “Gruaja ‘me vdekje të trurit’ sjell në jetë fëmijën, pastaj vdes”.
Një mbulim i tillë mund të hidhet poshtë si tregues i një keqkuptimi popullor të fakteve shkencore. Jo aq i lehtë për t’u hedhur poshtë ishte një editorial në Nature që vuri në dukje se, megjithëse Përcaktimi Uniform i Vdekjes i vitit 1980 kërkon “pushim të pakthyeshëm të të gjitha funksioneve të të gjithë trurit”, testet standarde të përdorura për të përcaktuar vdekjen e trurit nuk testojnë për ndërprerjen e të gjitha funksioneve të trurit. Në disa individë të deklaruar si “me vdekje të trurit”, gjëndra e hipofizës dhe/ose hipotalamusi funksionojnë (gjë që shpjegon se si individë si Jahi McMath mund të arrijnë pubertetin pasi shpallen të vdekur).
Nën presionin e mjekëve dhe grupeve të transplantit për të adresuar këto mospërputhje, Komisionit të Ligjit Uniform iu kërkua të konsideronte ndryshimin e përkufizimit të vitit 1980 për të pasqyruar faktin që mjekët nuk testojnë për vdekjen e trurit, por për “komën e përhershme, ndërprerjen e përhershme të frymëmarrjes spontane dhe humbjen e përhershme e reflekseve të trurit”. Komisioni u mblodh në Honolulu korrikun e kaluar. Diskutimi që pasoi tregoi se nuk kishte asgjë që i afrohej një konsensusi për vdekjen e trurit.
Në shtator, kryetari i komitetit që kishte diskutuar se si të rishikohej përkufizimi u dërgoi një email të përfshirëve duke thënë se “ne kemi vendosur ta ndalojmë” përpjekjen. “Nuk do të planifikohen takime të mëtejshme të komitetit hartues”, shtoi ai.
Ne e interpretojmë këtë rezultat si një tregues se sapo u hap çështja e rishikimit të përkufizimit të vdekjes, u bë e qartë se nuk mund të jepej një përgjigje pa u përballur me pyetjen morale thellësisht përçarëse për të cilën nuk ka konsensus: Në çfarë rrethanash është e justifikueshme heqja e zemrës së një personi për të shpëtuar jetën e një tjetri?
Ne kemi qëndrime shumë të ndryshme etike për paprekshmërinë e jetës njerëzore. Njëri prej nesh (Camosy) është një profesor i bioetikës në një shkollë mjekësore katolike, i cili gjithashtu u mëson teologji morale seminaristëve dhe mbështet drejtësinë e barabartë për qeniet njerëzore para lindjes dhe një ndalim kundër vrasjes me ndihmën e mjekëve. Tjetri (Singer), një profesor i bioetikës në Universitetin e Prinstonit, është një utilitar që mbështet të drejtën për abort dhe ndihmën e mjekut në vdekje, dhe mbron lejimin e prindërve që të vendosin t’i japin fund jetës së foshnjave të tyre të porsalindura me aftësi të kufizuara të rënda. Megjithatë, ne pajtohemi që shumë individë, të shpallur “me vdekje të trurit” pasi testet standarde aktualisht janë kryer në mënyrë korrekte, janë anëtarë të gjallë të species Homo sapiens.
Të deklarosh se disa qenie njerëzore me trupa të ngrohtë dhe zemra që rrahin kanë vdekur, siç bëri legjislacioni i Përcaktimit Uniform të Vdekjes, ishte një ndryshim i madh kulturor. Dhe megjithatë implikimet potencialisht të thella për statusin moral dhe ligjor të qenieve njerëzore prenatale dhe të porsalindura, së bashku me njerëzit e moshuar që kanë dëmtime neurologjike të lidhura me demencë në fazë të rënduar, nuk u pranuan.
Duke pasur parasysh provat e shfaqura të mungesës së thellë të konsensusit rreth këtyre çështjeve, ne mendojmë se ka ardhur koha për të zhvilluar debatin që duhej ta kishim zhvilluar 50 vjet më parë, rreth asaj se kur vdesin qeniet njerëzore. Një debat i tillë nuk mund të shmangë çështjen e statusit moral dhe ligjor të qenieve njerëzore që janë gjallë, si organizma njerëzor, por që kanë humbur në mënyrë të pakthyeshme aftësinë për vetëdije.
Kjo është pikërisht pyetja që na ndan. Camosy pohon se organizma të tillë të gjallë njerëzor ruajnë statusin e tyre të plotë moral, ndërsa Singer beson se vazhdimi i një jete të tillë nuk mund t’u sjellë më dobi atyre, dhe për këtë arsye organet e tyre mund të hiqen për të shpëtuar jetë të tjera. Pika ku biem dakord është se këto janë çështje debati pacientët, politikëbërësit dhe etikët./Marrë nga Project Syndicate- When Do We Die?