“Zallamahi e stisur që dëmton opozitën”, kështu e ka konsideruar analisti Ergys Mertiri kaosin e krijuar të hënën (30 tetor) nga deputetët e opozitës në Kuvend.
Në studion e emisionit “3D” në RTSH, Mertiri i dha të drejtë opozitës në kërkesat e tyre, por theksoi se qasja e zgjedhur nuk është ajo e duhura.
Ai e quajti atë “rrugë berishiste”, teksa tha se e humbur me këtë qasje del vetë opozita dhe jo qeveria.
“Janë kërkesa të drejta dhe që do rrëzonin çdo qeveri, por rruga me të cilën po e kërkoni është ‘berishiste’. Nuk mendoja se do bënte garë Gazment Bardhi me Flamur Nokën kush bërtet më shumë, kush zihet më shumë. Unë pashë që grupi juaj po konkurronte në ‘berishizëm’ me grupin tjetër dhe ja kishte kaluar madje grupit tjetër. Ndërkohë që e gjithë kjo nuk ka të bëjë me hallet e shqiptarëve. Njerëzit duan mirëqenie, duan një shtet që nuk i zë frymën, ju ziheni a do jetë Gaz Bardhi apo flutura Açka kryetare e Grupit Parlamentar. Kjo zallamahi është e stisur, nuk dëmtoni Ramën me këtë, por vetëm veten tuaj”, u shpreh ai.
/a.r