Shtetet e Bashkuara kanë filluar t’i frikësohen faktit se sulmi i Hamasit ndaj Izraelit do të frymëzojë kërcënimin më të madh terrorist kundër SHBA që nga formimi i Shtetit Islamik gati një dekadë më parë.
Deklarata u bë nga drejtori i FBI-së, Christopher Wray, në një seancë dëgjimore në Kongres, ku tha se
që nga fillimi i konfliktit izraelito-palestinez, organizata të shumta terroriste kanë bërë thirrje për sulme kundër amerikanëve dhe Perëndimit, duke rritur ndjeshëm kërcënimin nga ekstremistët e dhunshëm.
“Veprimet e Hamasit dhe aleatëve të tij do të shërbejnë si një frymëzim, të cilin ne nuk e kemi parë që kur ISIS nisi të ashtuquajturin kalifat disa vite më parë”, tha Drejtori i FBI-së, Wray.
Qeveria amerikane ka parë një rritje të kërcënimeve kundër hebrenjve, myslimanëve dhe arabo-amerikanëve që nga shpërthimi i luftimeve në Gazë.
Numri i sulmeve ndaj bazave ushtarake amerikane jashtë shtetit nga grupet e mbështetura nga Irani është rritur këtë muaj. Sulmet kibernetike kundër SHBA-së nga Irani dhe aktorët joshtetërorë ka të ngjarë të përkeqësohen nëse konflikti zgjerohet.
Në një takim për sigurinë kibernetike të organizuar nga Shtëpia e Bardhë të martën, kryeprokurori i Shteteve të Bashkuara Merrick Garland tha se ai kishte udhëzuar Departamentin e Drejtësisë që të ndihmonte hetuesit izraelitë për rastet e financimeve për Hamasin, përfshirë edhe kriptovalutat.
/a.r