Dëshira për të blerë veshje të vjetra firmash për të krijuar një stil sa më unik, i ka bërë për vete yjet amerikanë të kinemasë. Ata tani bëjnë pazar në dyqanet e rrobave të përdorura dhe i reklamojnë blerjet e tyre në daljet në publik. Prej shumë kohësh shitësi me pakicë, Seth Ueiser, është në ndërtim e sipër të dyqanit të tij më të madh dhe më ambicioz: një dyqan 1160 metra katrorë në Beverli Hills, Kaliforni. Në të do të shiten veshje, aksesorë dhe bizhuteri të markave. “Do të jetë shumë elegant, me vitrina të jashtëzakonshme, rrethuar me mermer dhe dhoma provash nga më të mirat”, shpjegoi Ueiser për “Bloomberg” nga telefoni i zyrës së tij në Nju Jork. “Kjo do të jetë eksperienca më luksoze dhe më e fundit e blerjeve.”
Por do të ketë një dallim të madh mes butikut më të fundit të Ueiser-it dhe Louis Vuitton-it apo Valentinos në të njëjtën zonë: ai do të shesë rroba të përdorura. Ky do të jetë dyqani i pestë i linjës së quajtur “Gjërat qarkullojnë” (WGACA), ku do të shitet gjithçka e dorës së dytë ose që është “e vjetër, por luksoze”. Një bum i fundit ka shtuar entuziazmin për modën e vjetër dhe ka çuar në zgjerimin e shpejtë të dyqaneve si WGACA. Për pasojë, përftimet po shtohen gjithnjë e më shumë. Madje, blerësit i konsiderojnë këto produkte më ekskluzive dhe më joshëse sesa veshjet që ofrohen përreth në dyqanet e markave.
Në seksionin Chanel, themeluesi i dyqaneve pretendon se ka koleksionin më të madh në botë të Chanel-it të vjetër, ku ndodhen me dhjetëra çanta dhe veshje që datojnë prej stilistëve më të vjetër. Koleksioni kalon deri te bizhuteritë e përdorura. Madje në seksionin Hermes, në qendër të hapjes do të jetë një çantë me lëkurë krokodili e tipit “Hymalayan Nilo crocodile Birkin”. Një model i ngjashëm u shit për 185 000 dollarë në një ankand dy vite më parë. Kjo nuk është një eksperiencë blerjesh që mund ta kesh në çdo dyqan tjetër Hermes në botë.
E vjetra po lulëzon
WGACA nuk është i vetmi që punon me mallra cilësore të dorës së dytë në zonë. Një tjetër i njohur është edhe dyqani Fashionphile nga Ben Hemminger, ku shiten marka si Dior apo Louis Vuitton që nga viti 2008. Dyqanet janë në skaj të të njëjtit bllok dhe kjo duket se nuk përbën asnjë problem. Të dyja firmat po lulëzojnë: dyqani i ri i Ueiser është 25 për qind më i madh sesa i mëparshmi, ndërsa Fashionphile ka kryer tre milionë dollarë blerje në shkurt 2016, muaji më i mirë për këtë vit. E megjithatë, biznesi u shtua me 50 për qind krahasuar me një vit më parë.
Kjo tendencë është kryesisht e sektorit të veshjeve të vjetra, por tepër luksoze, që variojnë nga çantat te fustanet dhe që shiten me ulje te gratë që sapo i shohin i marrin. Këto janë me leverdi, pasi jo vetëm që janë marka, por shiten edhe me ulje, përkundrejt rivalëve që i shesin me çmim të plotë. E madje, ndonjëherë dyqanet e përdorura furnizojnë markat. Ueiser ka kontrata me dyqane të ndryshme markash në Hong-Kong dhe Japoni.
Konkurrenca online po rritet
Biznese të ngjashme punojnë edhe nëpërmjet internetit nën emrat TheRealReal apo MaterialWorld. Industria në lulëzim e të vjetrave është shfaqur edhe në ankande në Paris apo Majami. Sipas stilistes Lauren Goodman, rrobat dhe aksesorët e vjetër, ashtu si vera, shpesh shikohen për nga vlera. “Mund të blesh një fustan të vjetër Versace nga vitet 1990, ta veshësh pesë herë dhe pastaj ta shesësh sërish dhe madje mund t’i jetë shtuar disi vlera”, thotë ajo. Në dyqanet e dorës së dytë, duket se këngëtarja Rihanna është një kliente e rregullt.
Veshjet e reja janë shumë të shtrenjta
Goodman shton se joshja e së vjetrës shpesh nxitet nga çmimet në rritje për mallrat e reja. Markat i kanë rritur shumë çmimet në dekadën e fundit. Kostoja e çantave Chanel rritet me rreth 15 për qind çdo vit. Kjo e bën të vjetrën të ketë vlerë më të madhe, pasi i ka mbijetuar testit të së shkuarës. Disa vite më parë, një bluzë marke vlente disa qindra dollarë, ndërsa tani çmimi i zakonshëm është 1000 dollarë ose më shumë. Ndryshimet e tjera ekonomike dhe kulturore po ndihmojë në këtë rrymë të dyqaneve të përdorura.
“Instagram”-i ka shtuar entuziazmin për elegancën dhe vlerën e gjërave që na rrethojnë, por ka larguar vëmendjen nga veshjet e reja duke e zhvendosur atë te gjërat që jo të gjithë i kanë. E vjetra është jashtë ciklit të modës, ndaj ajo do të pëlqehet gjithnjë, do të jetë speciale dhe unike. Në këtë mënyrë, përdoruesit e “Instagram”-it krijojnë një personalitet të guximshëm dhe një stil të tyrin që i karakterizon nga të tjerët.
Kërcënimi nga mashtrimet
Me shtimin e dëshirës për të blerë mallra të vjetra luksoze vjen edhe rreziku që ato mund të jenë false. Një industri e tërë fshihet pas mallrave të vjetra false. Dëshira për të marrë pjesë në industrinë në lulëzim dhe për të fituar para të lehta, pa rrezik të madh të gjobave apo burgut, i bën disa fabrika të krijojnë mallra false. Ky është një kërcënim që WGACA e ka marrë seriozisht. “Ne merremi me këtë lloj produkti më shumë se kushdo tjetër, ndaj jemi bërë mjaft të aftë të dallojmë një mall fals. Blerësit tanë janë shtresë e lartë dhe atyre nuk u pëlqen aspak të vihen në lojë nga personat e etur për të bërë para të lehta. Për këtë arsye, ne kemi metoda shumë speciale për të analizuar çdo detaj dhe për të zbuluar vërtetësinë e një produkti”, sqaron WGACA.