Ish-drejtoresha e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi, e cila akuzohet se në bashkëpunim me disa të dënuar në pastrimin e parave deklaroi sot në GJKKO se nuk ka kryer asnjë shkelje në detyrë. SPAK e akuzoi ish-zyrtaren se ka ndihmuar dy vëllezërit Besian e Leonard Rama të arrestuar në Belgjikë, për pastrim parash.
Në sallën e gjyqit ku u paraqit sot bashkë me avokatët, ajo ka deklaruar se ka njohje me Besjanin, njërin nga vëllezerit, me të cilin ka patur raport intim dhe madje ka dhe një djalë të cilit ai nuk i ka njohur atësinë.
Sipas Report TV Dashi ka thënë se kjo është e vetmja gjë që e lidh atë me dy të dyshuarit, megjithatë gjykata ka vendosur të lërë në fuqi masën “arrest shtepie” megjithëse është kundërshtuar nga avokatët, të cilët kërkuan një tjetër masë duke marrë parasysh edhe kushtet e saj.
Në fuqi u la edhe masa arrest me burg për Ardian Malasin, i cili ka pretenduar se akuza nuk qëndron, ndërsa ka pranuar se ka blerë nje apartament nga dy vellezërit te ish stacioni i trenit, të cilin ia ka shitur Rajmonda Dashit.
Edhe për dy vëllezërit Besian dhe Leonard Ramaj gjykata vendosi arrest në burg.
Sipas SPAK Rajmona Dashi së bashku me Ardian Malasin, tashmë të arrestuar, dyshohen se kanë ndihmuar dy vëllezërit Besian dhe Leonard Rama të pastrojnë paratë që si burim kane aktivitetin e trafikut të drogës.
Këto dyshime janë krijuar pas letërporosive që kanë mbërritur nga Belgjika, ku dy vëllezërit janë dënuar për trafik narkotikësh. Hetimet e SPAK kanë zbuluar se Rajmonda Dashi duke shfrytëzuar dhe postin e saj ka ndihmuar dy vëllezërit që paratë e vendosura nga aktiviteti kriminal të investoheshin në pasuri, tashmë të vënë në sekuestro nga Prokuroria e Posaçme.
12 apartamente në Fier
4 apartamente në Tiranë
3 garazhe në Tiranë
27 llogari bankare
1 shoqëri tregtare
2 automjete/m.j