Tre adoleshentë janë arrestuar pasi një shqiptar u gjet i vdekur në një makinë të djegur nga jashtë. Ngjarja ka ndodhur në Britani, në Essex.
Trupi i Vilson Meshit, 30 vjeç u gjet brenda një makine Audi A4 të dëmtuar nga flakët këtë të shtunë.
Nga autopsia rezultoi se ai kishte vdekur nga thithja e tymit.
Tre të rinj janë arrestuar pasi dyshohet se janë përfshirë në këtë vrasje.
Meshi ishte pronar i një lavazhi makinash dhe merrej me bodybuilding. Babai i tre fëmijëve kishte një makinë Skyline GT-R me vlerë 40 mijë sterlina.
Bëhet fjalë për dy 16-vjeçar dhe një 15 vjeç, të tre nga zona ku shqiptari kishte biznesin.
Vrasja ndodhi ndërsa Meshi ishte duke vizituar ish-të dashurën e tij në Brentwood.
Policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, pasi ajo ka ndodhur në një zonë të banuar dhe dikush mund të ketë parë apo dëgjuar diçka.
Familjarët e 30-vjeçarit kanë nisur procedurat për kthimin e trupit në Shqipëri, ku edhe do të kryhet funerali.