Një prej personazheve që Sali Berisha ka vënë në shënjestër që prej ditës kur GJKKO vendosi masat e sigurisë ndaj tij dhe i arrestoi dhëndrin, është Vladimir Qirjazi, ish- gjeneral brigade, ish- komandant i Komandës Mbështetëse në Forcat e Armatosura, që i rezistoi 3 vite privatizimit të ish- kompleksit Partizani, të cilin e konsideronte në shkelje të ligjit.
“Komanda mbështetëse, me drejtues gjeneral Vladimir Qirjazin, ky personalisht ishte bllokuesi kryesor”, akuzonte 3 ditë më parë Berisha para mediave.
Por si e zgjidhi Berisha një ‘problem’ të tillë? Me dekret të presidentit Topi nr. 6231, datë 2 shtator 2009, Qirjazi shkarkohet dhe në vend të tij me dekret 6291 datë 7 tetor 2009 emërohet në pozicionin e komandantit të Komandës Mbështetëse, gjeneral Xhemal Gjunkshi.
Më 16 tetor në drejtim të Gjunkshit vjen një memo që i kërkon të bëhet kontabilizimin. Menjëherë ai ngre grupin e punës për të bërë kontabilizimin. Grupi i punës i pasqyron marrjen në dorëzim të pronës me vlerat kontabël përkatëse.
Ndërsa shitja zyrtare, në prani të noterit është bërë 5 ditë më pas, më datë 21 tetor. Në dokument firmos në emër të shtetit Xhemal Gjunkshi dhe ndër firmat e pronarëve edhe Jamarbër Malltezi.
Nga ky moment Xhemal Gjunkshi njeh vetëm ngjitje në karrierën e tij. Ai më 8 gusht 2011 merr detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ndërsa në vitin 2017 u bë deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Ndërsa paraardhësi i tij në Komandën e Forcës Mbështetëse, Vladimir Qirjazi, pas shkarkimit u lëviz në një tjetër pozicion derisa sa më vonë u përjashtua totalisht nga forca e armatosura, si një hakmarrje për një shërbim që nuk pranoi ta bënte në shkelje të ligjit.
Në dosjen e SPAK evidentohen dhjetëra veprime prej Qirjazit, komunikime të tij me eprorët, shefin e Shtabit të Përgjithshëm, ministrat e Mbrojtjes Oketa dhe Imami, deri te presidenti i Republikës.
Gjenerali skrupuloz i shqetësuar nënvizonte se procedura për privatizimin nuk është ligjore dhe se statusi i pronës ishte i paqartë. Ai rezistoi, me gjithë presionet dhe kërcënimet e marra, dhe nuk pranoi kurrë të vinte nënshkrimin e tij në procedurat e gjykuara të paligjshme.
SPAK evidenton në dosje një letër të pa protokolluar, letër ankesë për gjeneral Qirjazin nga familjet e pronarëve, por disa nga firmosësit e letrës më vonë kanë thënë se nuk e mbajnë mend ta kenë nënshkruar.
Një tjetër letër e konceptuar nga Ilir Kadiu, që rezulton një prej pronarëve dhe që i kishte dhënë Jamarbër Malltezit të drejtën për ta përfaqësuar duke i dhënë 5% të pronës së tij, pretendon për shkelje nga Qirjazi dhe vendosin ultimatum prej 10 ditësh për gjeneralin. Letra firmoset nga sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë.
Marrë shkas nga këto, me firmë të Sali Berishës nxirret urdhri i datës 16 prill 2009 për t’i ushtruar kontroll Qirjazit.
3 javë më vonë, Ilir Kadiu, një prej pronarëve të pronës, në konflikt total interesi, së bashku me një inspektor tjetër përpilojnë aktin e inspektimit dhe ngarkojnë me përgjegjësi Vladimir Qirjazin dhe kërkojnë masa disiplinore.
Por Qirjazi reziston, edhe pasi në zyrë e kishte thirrur ministri Gazmend Oketa, i cili i kishte thënë ‘duhet të firmoset, ma kërkojnë edhe mua’. (Shqiptarja.com)