Në Akademinë e Sigurisë, u zhvillua këtë të premte një ceremoni me rastin e vizitës së zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të Italisë, Prefektit Vittorio Rizzi, në kuadër të bashkëpunimit mes akademive policore të dy vendeve. Gjatë kësaj ceremonie, Rizzit iu dha nga Akademia e Sigurisë, titulli “Honoris Causa”.
Pasi i dorëzoi titullin zotit Rizzi, Rektori i Akademisë së Sigurisë, Profesor Ilirjan Mandro, gjatë fjalës së tij, vlerësoi partneritetin mes Akademisë së Sigurisë në Tiranë dhe Akademisë së Sigurisë në Romë.
Mandro: “Dua të falënderoj autoritetet drejtuese të Policisë së shtetit italian dhe Prefektin Rizzi, të cilin sot kemi nderin ta kemi të pranishëm, për kontributin e çmuar të dhënë në mënyrë të vazhdueshme për Policinë e Shtetit. Ne sot jemi histori suksesi për rikthimin e besimit të agjencive ndërkombëtare ligjzbatuese, te Policia e Shtetit. Për to jemi partnerë në shkëmbimin e cilësive profesionale dhe me interesa të njëjta. Sfidat me të cilat përballet shoqëria shqiptare janë ato me të cilat janë përballur dhe përballen edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Akademia e Sigurisë sapo është akredituar në sistemin e rrjetit të arsimit të lartë, ofron arsim profesional dhe kurrikulat janë në proces certifikimi. Falënderojmë partnerët tanë vendas, Ministrinë e Arsimit, Universitetin e Tiranës, Shkollën e Magjistraturës dhe shumë partnerë të tjerë. Takimi i sotëm flet për ecurinë e këtij bashkëpunimi.”
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku dhe zv.ministrat e Brendshëm, Besfort Lamallari dhe Julian Hodaj.
Drejtori i Përgjithshëm: “Përfitoj nga rasti të shpreh nderimin dhe konsideratën time më të lartë, për drejtuesit e Policisë së Shtetit të Italisë, për mbështetjen e gjithanshme që kanë dhënë dhe japin për Policinë e Shtetit shqiptar, dhe në veçanti, për zhvillimin e sistemit arsimor policor në Akademinë e Sigurisë. Ky bashkëpunim ka ndihmuar në përmirësimin e njohurive për rekrutimin e personelit, pasurimin e akademive të sigurisë së dy shteteve, me materiale dhe me plane mësimore, duke shkëmbyer praktikat më të mira në organizimin e aktiviteteve didaktike; mundësimin e lektorëve tanë të marrin eksperiencë dhe rritje të kapaciteteve mësimdhënëse në Akademinë e Policisë italiane, si dhe në fushën e kërkimit shkencor. Ndihmë të vyer ky bashkëpunim ka patur dhe për studentët tanë të cilët kanë rritur njohuritë nëpërmjet trajnimeve pranë Akademisë së Romës.
Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë italiane, Prefektit Vittorio Rizzi, i akordohet titulli i lartë “Honoris Causa”, i pari titull i kësaj natyre që jep Akademia e Sigurisë, që çel edhe siparin e nderimit dhe respektimit të figurave e miqve, që institucionin tonë të edukimit policor ta shikojnë si detyrim shpirtëror dhe moral, si ndihmë reale institucionale.
Në përfundim të ceremonisë, në shenjë mirënjohjeje për titullin dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve, Rizzi ka dhuruar për Policinë e Shtetit, 400 kopje të librit të tij, me titull “Investigare 4.0”, që do të bëhen pjesë e kurrikulës së Akademisë së Sigurisë. Gjithashtu, Prefekti Rizzi ka zhvilluar 2 orë leksion me studentët dhe pedagogët e Fakultetit për Hetimin e Krimit, me kursantët dhe instruktorët e Kolegjit Profesional të Policisë, në Akademinë e Sigurisë.
/a.r