Sheshi i rilindur i Derviçanit do të mbajë emrin e Konstantinos Mitsotakis, të parit kryeministër grek që e vizitoi këtë vend.
Busti i tij, siç bën me dije kreu i qeverisë shqiptare, do të qëndrojë si shëmbëlltyra e së vërtetës historike, se ajo që i bashkon që në lindje popullin grek me atë shqiptar, është përjetësisht e madhe, pavarësisht përçarjeve politike për arsye të mosarsyes.
Kjo ngjarje vjen teksa mes Tiranës dhe Athinës ka një përplasje për çështjen e Fredi Belerit. Por kjo nuk e ka ndaluar Ramën që të tërhiqet nga vendimi për bustin e babait të Kyriakos Mitsotakis.
“Në sheshin e rilindur të Derviçanit, i cili do të mbajë emrin e Konstantinos Mitsotakis, i pari kryeministër i Greqisë që vizitoi Dropullin, ku busti i tij do të qëndrojë si shëmbëlltyra e të vërtetës historike, se ajo që i bashkon qysh në lindje të kohërave popujt e vendet tona është përjetësisht më e madhe, se sa çfarëdo qoftë mund t’i ketë ndarë a ndajë përkohësisht, për arsyet e mosarsyes së politikës. Sot kremtojmë vendosjen e bustit, jetën e një personazhi historik të Greqisë fqinje.
Ajo ngjan si imitimi i një rrëfimi romanesk ku e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e një vendi ndërthuren me personazhin në një formë sa e krijon atë, e shkrin ato, gati pabesueshëm, me rrugëtimin, ngjarjet, rrëzimet e ringjitjet e tij.
Konstantinos Mitsotakis, ishte në qendër të vorbullës së politikës greke deri në fillimin e shekullit 21. Ajo vorbull ishte djepi i tij. Për kontributin dhe aktet e tij të rezistencës, njeriu që do ngjitej në majën e politikës greke, u dekorua dy herë pas luftës. Ishte poliglot dhe lexues i ethshëm. Deri kur u nda nga jetë në moshën 98-vjeçare, nuk u nda asnjë ditë nga libri”, tha Rama.
Një koment, shefi i qeverisë shqiptare e pati edhe për djalin e Konstantinos Mitsotakis, homologun e tij grek.
“Mjafton ta kesh parë në një material arkivor të televizionit grek ku ai flet me sensin aristokratik të humorit, për kokëfortësinë e gruas së tij arvanitase. Kjo ushqen dhe lidhjen e pandashme mes dy vendeve tona, që e shkuara i ka përzierë aq shumë, saqë po mos t’i dallojë gjuha, asgjë s’i bën të pandashme. Do të kisha dëshiruar që këtu të ishte sot Mitsotakis, por me siguri që ai do të kthehet në këtë shesh, pasi që nga sot sheshi mban emrin e të atit. Më vjen mirë që këty bashkë me mua është një deputet, tashmë i thinjur.”, tha Rama.
/a.r