Shtohen patrullimet e policisë në aksin nacional Korçë-Kapshticë, pas alarmit se refugjatët e bllokuar në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë, mund t’i drejtohen Shqipërisë. Policia e rendit po patrullon edhe fshatrat kufitare për të parandaluar mundësinë e trafikimit të refugjatëve.
Paralelisht me monitorimin e kufirit të gjelbër, policia ka filluar kontrollet intensive edhe në aksin nacional Korçë-Kapshticë.
Patrulla të përbashkëta të policisë së rendit, policisë së qarkullimit dhe specialistë të krimeve po ushtrojnë kontrolle të detajuara për mjetet që lëvizin përgjatë kësaj rruge.
Dy grupe janë përqëndruar në segmentin që të çon drejt doganës së Goricës, që lidh vendin tonë me Maqedoninë.
Alarmi se refugjatët e bllokuar në Greqi, mund ta përdorin territorin shqiptar për të hyrë në Maqedoni, ka shtuar kontrollet e policisë në rrugët që të çojnë drejt zonave kufitare me vendin fqinj.
Policia e rendit patrullon gjithashtu edhe fshatrat kufitare me Greqinë, përtë parandaluar mundësinë e trafikimit të refugjatëve nga shtigjet që dikur i përdornin vendasit për të emigruar.
OraNews