Diskutimet mes Bashkisë së Tiranës dhe grupeve të shoqërisë civile që kundërshtojnë projektit e parkut për fëmijë tek Liqeni ka vijuar edhe këtë të enjte, ku një grup protestuesish, pasi kanë lexuar një deklaratë, kanë braktisur takimin.
“Gjatë gjithë kësaj kohe, Bashkia e Tiranës ka shprehur gatishmërinë e saj për të komunikuar, informuar, debatuar e dëgjuar me të interesuarit realë për projektin e këndit të lojërave për fëmijë. Por, pas veprimit të sotëm të disa të pranishmëve, të cilët e braktisën takimin pasi lexuan një deklaratë, vërejmë me keqardhje se qëllimi kryesor i tyre nuk është diskutimi për gjetjen e një zgjidhjeje, por vetëm shoë mediatik i këtij grupimi.”- shkruhet në deklaratën e Bashkisë.
Nga ana e tyre aktivistët i thanë BIRN se bashkia i pati dërguar një ftesë mbrëmë në darkë për një takim sot dhe kur aktivistët u paraqitën në bashki, punonjësit e bashkisë kërkuan që seanca dëgjimore të bëhej pa praninë e medias.
Aktivistët refuzuan duke argumentuar se dëgjesat publike, për nga lloji, duhet të jenë të hapur për të gjithë, përfshirë median dhe jo bisedime private mes bashkisë dhe tyre. Ata e braktisën takimin pas pak minutash pa i dhënë kohë punonjësve të bashkisë të kryente prezantimin e projektit.
Edhe organizatat mjedisore patën një problem të ngjashëm me bashkinë, e cila, sipas tyre, pati refuzuar të marrë letrën me shkrim të firmosur prej tyre.
“Duke qenë se Bashkia e Tiranës nuk pranoi të protokollonte një letër të ardhur nga organizatat, [me justifikimin] se qytetarja dorëzuese nuk kishte autorizim me shkrim për dërgimin e letrës, po marrim guximin dhe kurajën qytetare që shqetësimet tona t’ia themi kryebashkiakut mediatikisht”, shkruhet në emailin e dërgimit të deklaratës.