Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro apeloi strukturat akomoduese që të regjistrohen pranë kësaj ministrie për të përfituar nga ulja e TVSH-së nga 20, në 6 përqind. Kumbaro tha se në dy vitet e fundit janë mbi 2500 struktura që janë regjistruar.
“TVSH-ja 6 përqind e aplikuar për të gjitha strukturat akomoduese me kushtin që këto struktura të formalizohen, të regjistrohen pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, është një praktikë që ka nisur prej më shumë se 4 vitesh, e cila po intensifikohet. Vetëm tani që flasim në 2 vitet e fundit kemi një regjistrim të rreth 2500 strukturave akomoduese, nga bujtinat deri tek hotelet apo resortet me 5 yje. Është shumë e rëndësishme për t’i thënë çdokujt që ka një hotel, që nuk mjafton thjeshtë të jetë i regjistruar në QKB për ta përfituar këtë ulje të favorizuar, të dedikuar për turizmin, 6 përqind në vend të 20 përqind, duhet detyrimisht të regjistrohet edhe pranë Ministrisë së Turizmit për të marrë kategorinë e caktuar”.
Kumbaro foli edhe për projektligjin për turizmin i cili është ende në fazë konsultimi. Ajo apeloi publikun e sektorin e biznesit që të japin sugjerimet e tyre.
“Në këtë moment që flasim kemi filluar ndryshimet në ligjin e turizmit, ligj i cili është ende, ose më saktë projektligj, që është ende ne fazë konsultimi edhe këtë javë që flasim. Sërish përfitoj nga ky komunikim me publikun dhe sektorin e biznesit që ta lexojë, të japin të gjithë sugjerimet e tyre. Sigurisht projektligji do t’i nënshtrohet edhe një konsultimi tjetër në institucione të ndryshme, më tej edhe në parlament. Amendim që vjen si një kërkesë e domosdoshme, pas ndryshimeve shumë të shpejta të realitetit ekonomik të turizmit, të imazhit të Shqipërisë sesa të vetë ligjit ekzistues që është i 2015-s”.
/a.r