Këtë të hënë pritet të dalë para Gjykatës Jamarbër Malltezi për t’u njohur me masën e sigurisë. Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha u arrestua në ambientet e aeroportit të Rinasit, mbrëmjen e së shtunës, 21 tetor.
Seanca pritet të zhvillohet në orën 13:30 në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe në të njëjtën orë pritet të zhvillohet edhe seanca për biznesmenin Fatmir Bektashi.
Ata akuzohen për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, ndërsa është e paqartë se si do të vijojë procesi për Sali Berishën për shkak se mban mandatin e deputetit.
Nga ana tjetër, në Gjykatën e Posaçme nuk ka vajtur procesverbali për njoftimin e Berishës nga Oficeri i Policisë Gjyqësore.
Ndërkaq, Berisha ka refuzuar takimin me agjentët e policisë së Shtetit të cilët shkuan në selinë e Partisë Demokratike mbrëmjen e 21 tetorit.
Ndaj tij është caktuar masa “detyrim paraqitje” si dhe i është ndaluar dalja jashtë Shqipërisë.
Arrestimi dhe akuzat ndaj Malltezit
Mbrëmjen e së shtunës u ekzekutua urdhër-arresti i GJKKO pas kërkesës së SPAK për arrestimin e Jamarbër Malltezit.
Pas ndalimit të Malltezit, po me vendim të GJKKO-së, këtij të fundit ju sekuestruan edhe disa pasuri, duke nisur nga llogaritë bankare te aksionet në disa kompani.
Pasuritë e vendosura nën sekuestro preventive:
16 pasuri të paluajtshme
6 llogari bankare (në euro, dollarë dhe lek)
45% e kuotave te kapitalit themeltar në shoqëritë “Homeplan” shpk
100 % e kuotave të ‘Magnet IMO” shpk
60% e kuotave Magnet Gym&Fit
“Mbështetur në kërkesën datë 15.10.2023 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin me nr. 410 datë 20.10.2023, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 16 (gjashtëmbëdhjetë) pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetasit J. M., 6 (gjashtë) llogari bankare (në euro, dollarë dhe lek) në emër të shtetasit J. M., si dhe kuotat e kapitalit themeltar në pronësi të shtetasit J. M. në shoqëritë “Homeplan” shpk (45% e kuotave), “Magnet IMO” shpk (100% e kuotave) dhe “Magnet Gym&Fit (60% e kuotave)”, thuhet në njoftimin e sotëm në SPAK.
Kujtojmë që Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv, pasi gjatë kohës që ka patur vjehrrin (Sali Berisha) në pozicionin e kryeministrit të Shqipërisë ka bërë të mundur tjetërsimin e pronave, si dhe akuzohet për pastrim parash në ndërtimin e kullave.
Gjithashtu Sali Berisha akuzohet se gjatë kohës që ka qenë kryeministër i Shqipërisë duke ndryshuar aktet ligjore dhe nënligjore ka mundësuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, për përfitin pronash.
Ndërsa Fatmir Bektashi, Ortaku i Malltezit, akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.