Vetëm një në shtatë turistë që hynë në vend në gusht fjetën në një nga hotelet, bujtinat apo apartamentet me qira të vendit, të paktën sipas të dhënave zyrtare.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se nga mbi 2 milionë pushues të huaj gjatë gushtit, numri i atyre që u akomoduan ishte më pak se 307 mijë.
“Informaliteti në strukturat akomoduese bëhet veçanërisht i dukshëm në kulimin e sezonit turistik veror pasi institucionet kanë shumë gjëra për të menaxhuar”, tha Fjorold Ozuni.
Megjithatë, krahasuar me gushtin e një viti më parë, si pasojë edhe e shtimit të turistëve, në strukturat akomoduese në vend qëndruan gati 120 mijë të huaj më shumë.
Shkalla e lartë e informalitetit në sektorin e turizmit është pranuar tashmë edhe nga qeveria. Nga 1 janari i vitit të ardhshëm institucionet do përpiqen të fusin në sistemin e tatimeve apartamentet apo strukturat e tjera që jepen kryesisht me qira ditore për turistët.
“Jemi të fundit në rajon që po e hedhim këtë hap. Është një nevojë që i shërben sa qeverisë, aq edhe atyre që zotërojnë struktura akomoduese”, shtoi Ozuni.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se gjatë gushtit, pjesa më e madhe e turistëve fjetën në strukturat akomoduese në veri, ndjekur nga Tirana dhe Durrësi. Në hotelet e jugut, të paktën referuar shifrave qëndruan vetëm 98 mijë e 484 të huaj.
/a.r