Janë vullnetarë egjiptianë që presin në tenda në anën egjiptiane të pikës kufitare Rafah në pritje për të kaluar ndihmat në Gaza. Mbi 20 kamionë me ndihma ushqimore e furnizime mjekësore janë rreshtuar prej ditësh dhe presin të hyjnë në enklavën e rrethuar.
Gjithashtu pesë kamionë me furnizime mjekësore janë gati në kufirin midis Gazës dhe Egjiptit, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë të enjten, duke përshëndetur njoftimin e Izraelit se nuk do të bllokojë hyrjen e ndihmave në territorin palestinez.
Pas diplomacisë intensive, Egjipti ra dakord të rihapë pikën kufitare. Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti kanë bërë presion për një marrëveshje armëpushimi.
Brenda Gazës, palestinezë të zhvendosur, dynden në tregun e Khan Younis për të blerë atë që është ende në dispozicion, ndërsa situata e tmerrshme humanitare përkeqësohet çdo ditë. Në mungesë të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë, ushqim, karburant dhe barna, mallrat në treg po shterohen me shpejtësi.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres lëshoi thirrje urgjente për një “armëpushim të menjëhershëm humanitar” për të lehtësuar “vuajtjet epike njerëzore” që po shpalosen në rajon. “Viktimat në rritje dhe përkeqësimi i kushteve janë një kujtesë e fortë e nevojës urgjente për një zgjidhje të këtij konflikti shkatërrues,” tha Guterres.
Agjencitë e ndihmës po paralajmërojnë se do të nevojiten shumë më tepër ndihma. Shefi humanitar i OKB-së, Martin Griffiths, thotë se do të duhen rreth 100 kamionë në ditë.
Por Izraeli ka vazhduar të bombardojë Gazën dhe qindra mijëra njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre.
Palestinezët nxituan për të dërguar të plagosurit në spitalin Naser pas një sulmi ajror izraelit të enjten në Khan Younis në Gazën Jugore. Banorët e enklavës janë mbledhur pas paralajmërimeve izraelite për bombardime në veri. Faktet tregojnë se bombardimet kanë qenë kudo jo vetëm në veri. Mes të plagosurve u panë fëmijë të vegjël dhe punëtorë të OKB-së.
Më herët, mediat e Hamasit raportuan se disa palestinezë u vranë ose u plagosën në një sulm ajror në një shtëpi në Khan Younis. Ministria e shëndetësisë së Gazës tha se 3,478 palestinezë janë vrarë dhe 12,065 janë plagosur në sulmet ajrore izraelite në enklavën e rrethuar që nga 7 tetori.
Trupat izraelite janë vendosur pranë kufirit të Gazës dhe ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant u tha trupave të këmbësorisë të mbledhura në kufirin e Gazës se së shpejti do ta shohin enklavën palestineze “nga brenda”. Një deklaratë e tillë tregon se inkursioni tokësor mund të jetë afër.
“Nuk do ta falim këtë gjë. Vetëm asgjësim total i organizatës Hamas – infrastrukturës terroriste, gjithçka që ka të bëjë me terroristët dhe kushdo që i dërgoi ata. Kushdo që e sheh Gazën nga larg do ta shohë nga brenda, ju premtoj.”
Pamjet me dron treguan shkatërrim të madh në të gjithë qytetin Al-Zahara. Katër ndërtesa banimi u shkatërruan në qytet, që ndodhet në jug të qytetit të Gazës, duke detyruar qindra familje të zhvendosen, sipas mediave të Hamasit.
Në Tel Aviv të Izraelit sirenat paralajmëruese të raketave u dëgjuan të enjten. Sipas raporteve të mediave lokale, sirenat u dëgjuan edhe në disa qytete qendrore të Izraelit. Dëshmitarët dëgjuan dy shpërthime.
Palestinezët mbajtën një procesion funerali për burrat e vrarë nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor. Në Ramallah, anëtarët e familjes dhe të tjerë u mblodhën në morg për t’ju dhënë lamtumirën e fundit. Tre palestinezë, duke përfshirë dy adoleshentë, u vranë nga forcat izraelite në incidente të veçanta në Bregun e pushtuar Perëndimor.
/a.r