Drejtori i Policisë së Elbasanit ka pezulluar nga detyra dy efektivë policie nën akuzën se kanë marrë ryshfet, për të lejuar një ndërtim pa leje.
Pas hetimeve, kreu i policisë së Elbasanit vendosi të pezullojë inspektorët S. N., me detyrë ndihmësspecialist i Policimit në Komunitet dhe G. C., aktualisht me detyrë ndihmësspecialist në Komisariatin e Policisë Cërrik.
Dy efektivët dyshohet se kanë marrë para nga Y.Gj. për këtë ndërtim pa leje, i cili është proceduar penalisht nga ana e Policisë për këtë rast.
Por çfarë u denoncua?
Ylli Gjoshi, një banor i fshatit Seferan në Belsh, denoncoi policët e bashkisë dhe të komisariatit pasi sipas tij i kanë marrë një shumë parash për të lejuar një ndërtim pa leje që ai kishte nisur.
Në fillim ka qenë polici bashkiak Agron Hysa, që i është shfaqur teksa punonte dhe të cilit, Gjoshi tha se i dha 500 Euro pasi ai i kishte thënë se ia nxirrte lejen.
Mirëpo pasi kishte përfunduar punimet dhe po ndërtonte avllinë, i kanë shkuar dy policët e sapo pezulluar, Nipolli dhe Çalja.
Madje në një video të dokumentuar, ata i kanë shkuar me furgon. Në këtë moment, Gjoshi tha se i ka dhënë 500 mijë lekë dhe paratë i ka futur në furgon.
/a.r