Parlamenti shqiptar mblidhet të enjten para dite në seancë plenare.
Sipas rendit të ditës së miratuar në Konferencën e Kryetarëve, në vemendje është një interpelancë me ministren e Kulturës, Elva Margariti, e kërkuar nga deputetja e opozitës Ina Zhupa.
Më pas do të diskutohen tre projektligje: projektligji i propozuar nga Ministria e Brendshme për disa ndryshime në ligjin për “Shërbimin privat të sigurisë fizike”, projektligji për disa ndryshime në ligjin për “Avokaturën e Shtetit” dhe projektligji për disa ndryshime në ligjin për “Akreditimin e Organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë”.
Veç projektligjeve, Kuvendi pritet të shqyrtojë dhe një sërë projektvendimesh.
Seanca e së enjtes zhvillohet ndërsa marrrëdhëniet mes mazhorancës dhe opozitës janë tensionuar ndjeshëm.
Një ditë më parë deputetët e opozitës debatuan në të gjitha komisionet parlamentare, duke akuzuar mazhorancën e majtë se po dhunon të drejtat kushtetuese të opozitës duke hedhur poshtë të gjitha iniciativat e saja kushtetuese.
Deputetët e opozitës thanë se me mohimin e instrumentave të kontrollit parlamentar, përjashtimin nga pjesmarrja në reforma, përjashtimin nga kuvendi tej afateve që parashikon rregullorja, maxhoranca ka cënuar në thelb pluralizmin parlamentar.
Pas debateve me tone të ashpra, deputetët e opozitës bojkotuan punimet e komisioneve, duke paralajmëruar se këtë strategji do të ndjekin edhe në seancat plenare, me synimin për të mos lejuar funksionimin normal të parlamentit.
/a.r