Policia e Gjirokastrës ka zhvilluar sot një operacion antidrogë, ku ka arritur të zbulojë rreth 350 bimë kanabissativa, të mbjella në një serë. Policia ka mundur të arrestojë edhe kultivuesin e tyre, shtetasin Muzafer Mamo, 56-vjeç lindur në Lazarat. Sera është zbuluar në zonën e quajtur “Industriale” ku dhe për kultivimin e kanabisit përdoreshin llamba të veçanta elektrike. Mamo, kishte përshtatur një magazinë të braktisur në këtë zonë, për të kultivuar kanabis. Bimët narkotike nga ana e policisë u asgjësuan në vend me anë të djegies, ndërsa pajisjet elektrike që shërbenin për ngrohje u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me disa bimë narkotike.