Nga Ylli Pata
Në Prishtinë që sot e kanë bërë gati temën e sulmit të ditëve të ardshme. Propaganda e agjitpropit të Vetëvendosjes e kanë gjetur armikun dhe objektin e goditjes së radhës.
Është Emanuel Macron bashkë me Edi Ramën, të cilët siç po del që në këto orë, kanë nisur përpjekjen për të ndaluar liberalizimit të vizave me Kosovën. Njerëz të Albin Kurtit, nuk vonuan të dalin në panele të Tiranës, e të thonë hapur se ja erdhi sulmi, s’na le rehat Edi Rama, po e sulmon Albinin, i cili nuk ka një minutë të lirë që të marrë frymë, pasi është i rrethuar. Në veri, Serbia, në Perëndim Edi Rama, në Jug, Ali Ahmeti, të cilët i luajnë “armiqtë e Kurtit”, që të gjithë janë miq të Kosovës.
Në fakt e gjithë ky mjedis është thjesht një propagandë për tu shfryer në eter, pasi dje dhe sot, Albin Kurti dhe ambasadorët e Kuintit, pra pesë vendet që janë ngarkuar që të monitorojnë Kosovën, kanë firmosur një deklaratë të përbashkët, se qeveria e Kosovës ka nisur hartimin e draftit të Asocacionit të Komunave Serbe.
Ndërkaq, në lidhje me aspektin e anulimit të vendimit të liberilizimit të vizave, edhe pse kjo u dha në nivelin më të lartë të një drejtuesi të BE, siç është Presidenti i Francës, ky version ka dalë zyrtarisht nga BE, pikërisht kur Kosovës ju bënë me dije sanksionet, pasi Albin Kurti u përplas me SHBA dhe Bashkimin Europian në lidhje me mungesën e koordinimit për menaxhimit të veriut të Kosovës.
Anulimi i vendimit të liberalizimit të vizave, i cili hyn në fuqi më 1 janar 2024 është folur gjatë gjatë gjithë verës, e nuk dihet pse po konsiderohet lajm aq i fortë sot. E tha Emanuel Macron?
Padyshim që është e rëndësishme, pasi e ka thënë direkt një nga dy shtyllat politike të Europës, por më mirë se një sulm frontal, do të ishte analizimi ma më objektiv i asaj deklarate.
E cila nuk është gjë tjetër veçse një qëndrim i fortë politik, e madje e thënë sot është më shumë se paralajmërim, është një gjysëm vendimi, edhe pse jo përfundimtar. Sipas të gjitha gjasave, ajo që Macron than ga selia e qeverisë së Shqipërisë, ja ka transmetuar prej kohësh në të gjitha nivelet, edhe Albin Kurtit edhe Vjosa Osmanit, të cilën e ka takuar disa herë kohët e fundit në margjina samitesh.
Po çfarë ka Emanuel Macron me Albin Kurtin? Pse nuk i ka dalë inati, siç thonë në Prishtinë edhe pas sulmit terrorist të 24 shtatorit?
Në fakt, nuk është vetëm Macroni që ka inat me Albin Kurtin, pasi po aq i mërzitur me të është edhe Olaf Scholz-I apo edhe aleatët e tij të gjelbërtit gjerman që janë edhe mbështetësit më të fortë të Vetëvendosjes.
Realisht, e faktikisht Albin Kurti ka ardhur në pushtet në vitin 2021, vetëm si pasojë e mbështetjes së fortë madje shuumë të fortë të Emanuel Macronit dhe Angela Merkelit, pra Parisit dhe Francës. Të cilët janë edhe dy polet e mëdha të pushtetit që sollën atë goditje të madhe, të fortë e traumatike në Kosovë që ishte arrestimi i Hashim Thaçit dhe krerëve të lartë të UÇK-së. Që siç dihet ndodhi, pikërisht pasi Hashim Thaçi ishte nisur në Uashington për një marrëveshje me administratën Trump, marrëveshje që siç e ka deklaruar ambasadori Richard Grenell fliste edhe për një mbyllje të Gjykatës Speciale.
Po të shikosh kronikat politike të viteve 2019-2021, shikohet një dendësi takimesh të Albin Kurtit në Pallatin Elysee, me drejtues të lartë të Presidencës Franceze, ministrisë së Jashtme, por edhe me Emanuel Macron. i cili së bashku me Angela Merkelin, vendosen përkrahjen e Kurtit, pikërisht kur panë pafuqinë e komandantëve që u përfaqësuan në qeverinë e Ramush Haradinajt në vitin 2019. i cili me të ashtuquajturën taksën 100 i vuri minat procesit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. E siç dihet, pikërisht në atë samit të vrullshëm ku Ramush Haradinaj refuzoi ofertën e Emanuel Macron për liberalizimin e vizave, Hashim Thaçi doli vrullshëm, sulmoi Francën, Gjermaninë dhe BE-në, e shkoi në zyrën e ambasadorit Grenell, atëherë kryediplomat i SHBA në Berlin.
Kështu, Macron dhe Merkel zgjodhën të përkrahin Albin Kurtin dhe me një operacion force, që në një farë mënyrë pati edhe një bashkëpunim në SHBA, kryesisht në Departamentin e Drejtësisë, i mbylli në Hagë drejtuesit e Kosovës.
Duke i dhënë kështu mundësinë Kurtit që të marrë 50% të mbështetjes në zgjedhje në një fushë të zbrazët.
Por e gjithë kjo përpjekje e Macron sidomos, por edhe Merkelit atëherë e sot Scholz, ka hasur një mur po aq të vështirë sesa qeveria e komandantëve që drejtohej nga Haradinaj, e ku President ishte Thaçi.
Tashmë në SHBA nuk është President Trump i cili luftën me BE e posaçërisht Gjermaninë e kishte si atu politike, por Biden, i cili është aleat i ngushtë me Bashkimin Europian.
Refuzimi kësaj here i Prishtinës ndaj një marrëveshje me Perëndimin, i cili është i ngjizur bashkë SHBA-BE, ka shumë gjasa të mos merret më si një opsion politik. Pasi u provuan të gjitha mundësitë. Ndëshkimin këtë herë nuk e merr politika e Prishtinës, por vetë Kosova…
/a.d