“Gjuha e përbashkët mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit është jetike”, thotë Enver Hoxhaj ish-ministri i Jashtëm në Kosovë. Zoti Hoxhaj i ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, u shpreh se Rama dhe Kurti duhet të jenë në koordinim të plotë me njëri-tjetrin, sidomos në këtë moment tensionesh në botë, por edhe në rajon.
“Kryeministri Edi Rama e meriton një falënderim nga të gjithë ne për rolin që ka pasur në këto javët e fundit pas sulmit në Banjë. Ai takoi Melonin dhe temë kryesore ishte Kosova. Një shtet i rëndësishëm brenda BE dhe jo vetëm. Me kryeministrin e Kroacisë pati sërish një diskutim, vizita në Berlin dhe Samiti që ndodhi në Tiranë ka qenë në shërbim të Kosovës dhe në mbrojtje të interesit të saj. Sigurisht dhe roli që ka pasur gjatë gjithë kësaj kohe në mbështetje të Kosovës.
Deklaratat e Ramës nga Tirana kanë qenë më afër realitetit se sa deklaratat populiste që janë thënë në Prishtinë. Çfarë unë pres nga Rama është të gjejë rrugë dhe mënyra se si të komunikojë me Albin Kurtin.
Kurti është ai që udhëheq qeverinë e Kosovës dhe Kosovën ndaj duhet të tejkalohen këto keqkuptime që në politikë ndodhin dhe janë pjesë e bërjes së politikës. Por unë mendoj që pas sulmit në Banjë, pas luftës në Izrael, agresionit të vazhdueshëm të Rusisë mbi Ukrainën, pas faktit që Serbia po ndjek një politikë hegjemoniste në raport me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, zoti Rama duhet të jetë në koordinim të plotë me Albin Kurtin. Është e domosdoshme, është jetike që kjo të ndodhë”, u shpreh Hoxhaj./m.j