Një megaoperacion i Antimafias Italiane në bashkëpunim me Guardia di Finanza është ekzekutuar mëngjesin e sotëm mes Italisë e Spanjës, sipas mediave të huaja.
Me urdhër të Prokurorisë së Milanos janë ekzekutuar 58 urdhër ndalime, 46 nën urdhër arrestimi, 33 në burg, 13 në arrest shtëpiak e 12 të shënuar në regjistrin e personave nën hetim.
Grupi i narkotrafikantëve përbëhet nga shtetas italianë, spanjollë, shqiptarë e kinezë. Sipas hetimeve, janë trafikuar 30 tonë marijuanë e hashash me vlerë fitimi rreth 42 milionë euro e një xhiro parash cash prej 26 milionë euro brenda një viti.
Transferimi i parave në Spanjë kryhej përmes sistemeve bankare ilegale të menaxhuara nga shtetas kinezë që përdoreshin si qendra grumbullimi parash e që dërgoheshin në mënyrë të shpejtë, anonime, të pagjurmueshme e përmes një mekanizmi informal.
Pronarët kinezë të aktiviteteve tregtare në Spanjë merrnin paratë përmes një interesi 1.5-2% për çdo transfertë.
E veçanta e këtij hetimi është se ka dokumentuar se si paratë e fitura nga trafiku i drogës përdoreshin nga evazorë fiskalë duke kryer një përzierje të krimit ekonomik me krimin ordiner përmes fitimeve të paligjshme e me vlerë miliona euro.
Në zotërim të anëtarëve të këtij grupi narkotrafikantësh janë sekuestruar në Lombardi e në rajonet veriore italiane 10 kompani biznesi, 52 pasuri të patundshme e llogari bankare me vlerë financiare 9 milionë euro.
/f.s