Në kuadër të veprimeve hetimore në lidhje me zbardhjen e tentativës së djegies së qëllimshme të lokalit “Urgjenca Club” në rrugën “Gjin Bue Shpata”, policia ka shpallur në kërkim 41-vjeçarin Erald Pazurkiewicz, i cili dyshohet se është bashkëpunëtor në krim.
Për ngjarjen e ndodhur më 12 Tetor të këtij viti në Tiranë, ka rezultuar se 41-vjeçari në bashkëpunim me të arrestuarin, 29-vjeçarin Klizjan Bajrami kanë hedhur lëndë djegëse në tarracën e lokalit kundrejt një pagese të kryer nga i shpalluri në kërkim, 24-vjeçari Redi Balla.
Vijon puna për kapjen e Erald Pazurkiewicz dhe Redi Balla.
Sjellim në vëmendje se nga flakët janë djegur panelet diellore dhe disa pajisje të lokalit.
Mbetet e paqartë se për çfarë arsye është kërkuar djegia e lokalit, por hetuesit kanë dyshime të ndonjë konfliki të pronarëve të lokalit me Redi Ballën. Identifikimi i njërit prej autorëve të zjarrvënies, Klizjan Bajramit, u bë nga agjentët e Komisariatit nr. 2 përmes gjurmimit të kamerave të sigurisë, të cilat pas vëzhgimit identifikuan dhe lokalizuan 29-vjeçarin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/a.r