Parlamenti fut në procedurë parlamentare Kodin e Sjelljes së deputetëve, hartuar me asistencën e OSBE-së. Miratimi i këtij akti vlerësohet se do t’i shërbejë përmirësimit të standardeve etike dhe performancës së deputetëve si dhe rritjes së besimit të qytetarëve në institucionin e parlamentit. Nisma me 15 nene parashikon standarte jo vetëm në sjellje, por edhe në transparencën e mënyrës sesi deputeti ushtron detyrën e tij.
Në këtë kod parashikohet ndër të tjera konflikti i interesit dhe deklarimi e kontrolli i pasurive të deputetëve, kufizimet gjatë ushtrimit të mandatit e deri edhe çështjet e dhuratave e përfitimeve të tjera të ngjashme. Në bazë të këtij Kodi, Kuvendi do të publikojë periodikisht shpenzimet financiare për çdo deputet për paga, dieta, karburant, shpenzime telefonie, strehim etj. Po ashtu, ky kod vlerësohet edhe si një përpjekje për të luftuar korrupsionin në radhët e deputetëve. Sa i përket konfliktit të interesit dhe deklarimit të pasurive, deputetët do të asistohen në përmbushjen e detyrimit nga administrata e Kuvendit.
Kjo e fundit do të dorëzojë në Inpektoriatin e Deklarimit të Pasurive e Konfliktit të Interesit deklaratat e plotësuara të deputetëve si dhe të njoftojë rastet e konfliktit të interesit apo refuzimin e plotësimit të deklaratave nga ana e të zgjedhurve. Sa i përket dhuratave për deputetët, Kuvendi pritet të hartojë një regjistër të posaçëm të dhuratave ku listohen dhuratat që lejohet të pranohen apo që janë pranuar nga deputetët. Po ashtu, edhe për veprimtaritë jashtëparlamentare të deputetëve do të mbahet një regjistër i posaçëm. Pjesë e Kodit të Sjelljes janë edhe normat e komunikimit në institucion apo respektimi i rregullave për veshjen zyrtare, mospërdorimin e aparateve telefonike etj.
Pikat më kryesore të projektvendimit
Neni 7
Dhuratat dhe përfitime të tjera të ngjashme
- Deputeti nuk mund të kërkojë ose të marrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen për shkak të pozicionit të tij, nga një individ, person fizik ose juridik privat.
- Deputeti, të cilit i janë ofruar dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, sipas pikës 1 të këtij neni, duhet:
- a) t’i refuzojë ato dhe, në rast se ofrimi është kryer pa dijeninë e tij ose paraprakisht, t’ia kthejë mbrapsht ofruesit ose, në pamundësi, t’i dorëzojë zyrtarisht pranë Shërbimit të Financës dhe Buxhetit, të cilat më pas përdoren për qëllime të veprimtarisë së institucionit;
- b) në rast se ofrimi ose dhënia e të mirave të sipërpërmendura lidhen me kryerjen e një vepre penale, ta kallëzojë atë tek organet kompetente për ndjekje penale.
- Dhuratat, që kanë vlera artistike, muzeale apo historike, u dorëzohen institucioneve të specializuara. 4. Nuk konsiderohen si dhurata, në kuptim të këtij neni, dhuratat, të cilat i ofrohen deputetit si pasojë e lidhjeve farefisnore apo njohjeve personale që ai ka me dhuruesit, si edhe në raste kur është e qartë se dhurata nuk ka asnjë lidhje me pozicionin dhe cilësinë si deputet.
- Pika 1 e këtij neni nuk zbatohet në rastin e ftesave të zakonshme të mikpritjes tradicionale, dhuratave me vlerë simbolike apo tradicionale dhe të mirësjelljes, brenda kufijve normale të traditës, zakoneve dhe praktikës së përditshme, të cilat nuk krijojnë dyshime mbi mënyrën e ushtrimit të detyrës së deputetit.
- Deputeti mund të pranojë dhurata nga qeveritë e huaja apo organizatat ndërkombëtare, brenda kufijve normalë të shprehjes së mikpritjes dhe trajtimit që buron prej saj, apo protokollit, nëse nuk: a) tejkalohen kufijtë e traditës dhe të zakoneve të vendit ku jepen; b) vënë në dyshim objektivitetin dhe ndershmërinë e deputetit; c) kompromentojnë imazhin dhe integritetin e Republikës së Shqipërisë.
Neni 9
Rregullat e sjelljes në Kuvend
- Deputeti nuk duhet: a) të shprehet me fjalë të pahijshme dhe ofenduese në Kuvend; b) të pengojë ose të cenojë rregullin e zhvillimit të punimeve të Kuvendit; c) ç) të kërcënojë apo fyejë deputetët e tjerë, anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe personalitetet e tjera të larta shtetërore; d) të ndërmarrë veprime apo sulme personale ndaj ndonjë deputeti tjetër; dh) të bëjë thirrje për përdorim dhune në Kuvend.
- Në rast të shkeljes së pikës 1 të këtij neni, ndaj deputetit zbatohen masat disiplinore sipas procedurave të përcaktuara në Pjesën e Parë, Kreu IX të Rregullores së Kuvendit.