Nga Ylli Pata
Ka nisur tashmë, e do të vijojë edhe nesër debate politik për impaktin e Samitit të Berlinit në Tiranë, ku për të dytën herë brenda dy vitesh, krerët e Europës vijnë në kryeqytetin shqiptar.
Edhe sikur të ketë vetëm aspekt ceremonial apo protokollar, Shqipëria nuk humb asgjë, përkundrazi fiton pikë jo thjesht në politikën e saj të jashtme e të integrimit europian, por edhe në siguri, imazh-i cili është direkt një pikë e madhe për industrinë e turizmit dhe e mikpritjes, që siç u pan ë verë po po përjeton një rritje galopante. Pra një impakt direkt ekonomi.
Shto këtu edhe angazhimin publik që u shpall nga “kryeministrja” e BE-së, Ursula Von der Leyen për të dyfishuar ekonominë e Shqipërisë për një periudhë 2 vjeçare nëpërmjet mbështetjes financiare për projektet infrastrukturore të mëdha.
Gjithsesi, impakti më direkt e që do të ketë padyshim pasoja të rëndësishme është ai politik. PD e Bashës e ka përshëndetur politikisht zhvillimin e samitit të Tiranës, ku përfaqësues të saj kanë folur edhe në skeletet e tij, siç është rasti i Jorida Tabakut në takimin e Parlamenteve në fundjavë, apo prezenca e Majlinda Bregut, e cila prej dy mandatesh drejton një strukturë të rëndësishme të Bashkimit Europian, siç është Regional Coorperation Council, një organizatë ndërqeveritare me zyrat qendrore në Sarajevë.
Një prezencë sa më e madhe e aktiviteteve institucionale të BE-së në Tiranë, institucionalizon gjithnjë e më shumë politikën shqiptare në standarde e debate më me logjikë, edhe pse shpesh të mërzitshme.
Megjithatë, ky samit, ka sjellë disa sinjale që nuk dihet pse nuk kanë hasur qasjen e opinionit publik, por që duket nuk kanë qenë fare rastësi.
Janë nga ato sinjale që nëse vihen re me kujdes, kanë peshën e tyre të rëndësishme, pikërisht në logjikën që BE synon t’i japë vendeve si Shqipëria, të cilat jo thjesht janë të vogla e me rëndësi relative, por që marrin e kanë marrë prej vitesh miliarda euro nga BE dhe vendet anëtare.
E në këtë prizëm, nuk është aspak rastësi që BE, pra krerët e saj Von der Leyen e Josep Borrell, risollën në Tiranë për të përgatitur samitin e Berlinit, një ambasador që e kishte mbyllur mandatin, madje edhe ishte caktuar me një detyrë të lartë në Bruksel. Bëhet fjalë për Luigi Soreca-n, ish-prokurorin e antimafia-s italiane, por që tashmë ka një përvojë më të gjatë si diplomat i BE-së.
Soreca u soll për të zëvendësuar Christiane Hohmannin, e cila u thirr nga ministria e Jashtme për një detyrë paralele. Mund të ishin gjetur edhe diplomatë të tjerë, por duket se Soreca, u soll si një symbol politik i vendimit të BE-së për t’i vënë notë pozitive në sjellje Tiranës, pasi ajo kreu një detyrë të rëndësishme të BE-së, reformën në drejtësi.
E Luigi Soreca është një nga simbolet e kësaj “detyre shtëpie”, jo thjesht si ish-prokuror i antimafia-s, por sepse është një nga personat që ka vuajtur më shumë egërsinë e rezistencës së reformës në Tiranë. Ku e kanë sulmuar me të gjitha mjetet, deeri edhe nga kreu i shtetit, duke e kërcënuar me video erotike. Pikërisht për këtë, Brukseli e solli në Tiranë, si “fantazëm” për të treguar se gjërat e rënda, atje nuk harrohen.
E mbani mend Federica Mogherinin? Një tjetër italiane, që kur nisi reforma në drejtësi ishte Shefe e diplomacisë së BE-së, e enturazhi i Sali Berishës dhe Ilir Metën e quajtën një terroriste palestineze dhe trafikante droge së bashku me Edi Ramën. E pra Mogherini erdhi në Tiranë, si titullare e Kolegjit të Lartë Europian që hapi degën e saj në Tiranë. Po nuk ka mbaruar me kaq, erdhi edhe ajo, kroatja që solli madje edhe prokurorin që arrestoi Ivo Sanaderin në Tiranë. Romana Vlahutin, e cila u kthye në një mankth politik për dyshen anti “Ramaformë” siç e quajnë reformën në drejtësi Berisha e Rama.
Vlahutin, erdhi në Tiranë për Samitin, si nëj zyrtare e një organizmi amerikan, Fondin Marshall, i cili selinë e ka në VVashington.
Natyrisht që nuk pati as fanfare, e as daulle, por ambasadorja Romana Vlahutin, e dha atë që duhet të thoshte. “Prej miqve dhe disa kolegëve më është treguar se kreu i ri i SPAK është duke bërë një punë të mirë. Më në fund fara e mbjellë e Reformës në Drejtësi disa vite më parë po bëhet realitet dhe po kthehet në diçka që njerëzit e shikojnë dhe ata mund të dëshmojnë se e gjitha ajo përpjekje ishte për një arsye të mire”.
Spaku dhe PS