Tre autobusë po presin jashtë një shkolle në qendër të Sderotit dhe po përgatiten të nisen. Banorëve të këtij qyteti izraelit, i cili u sulmua nga Hamasi më 7 tetor, iu kërkua të largohen.
Ndërsa sirenat bien vazhdimisht, duke paralajmëruar për raketa nga Rripi i Gazës, banorët e paktë të mbetur në Sderot dalin në rrugë në vend që të shkojnë në strehimore. Destinacionet e tyre janë hotelet e Eilat, në Detin e Kuq, në skajin më jugor të Izraelit ndërsa disa shkojnë në Jerusalem, të tjerët në Tel Aviv.
Mordechai Barsheset, 57 vjeç, tha se ai “rezistoi” për një javë, por më në fund u bind të largohej për në Eilat. “Kemi frikë të qëndrojmë këtu. Ditë e natë shohim raketa dhe shpërthime. Flemë për një orë, fshihemi në strehë, ne nuk kemi mundësi të lahemi”, tha ai.
Sderot, një qytet me 30 mijë banorë, ka qenë prej vitesh objektiv i raketave të lëshuara nga Rripi i Gazës. Më 7 tetor, si komunitetet e tjera në kufi me enklavën palestineze, ai u sulmua nga anëtarë të armatosur të Hamasit, të cilët vranë dhjetëra njerëz në rrugë, në strehimore dhe në shtëpitë e tyre. Shumë prej tyre janë rrëmbyer dhe familjet e tyre nuk kanë informacion për fatin e tyre.
Mëngjesin e sotëm, vetëm disa policë bredhin rrugëve të shkreta.
Komuna theksoi se evakuimi nuk është i detyrueshëm, por “rekomandohet fuqimisht” në funksion të operacionit tokësor të ushtrisë në Gaza. Sipas mediave izraelite, rreth gjysma e banorëve ishin larguar tashmë nga qyteti pas 7 tetorit.
“Do të shkojmë në Eilat, do të kthehemi sa më shpejt. Sderoti është shtëpia jonë. Është e vështirë, ne kemi frikë nga çdo alarm që bie, duhet të ikim, është më mirë për fëmijët”, tha 50-vjeçarja Helen Afteker, para se të hipte në autobus.
Smrit Edri ka lindur tre ditë më parë në spitalin e Ashkelonit. Vajza e saj e porsalindur është në njësinë e kujdesit intensiv dhe babai i saj po kujdeset për të, Smrit tani i duhet të shoqërojë tre fëmijët e saj të tjerë në jug drejt sigurisë. “Do të kthehem në spital, do të kthehemi të gjithë në shtëpi”, tha ajo.