Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vazhdoi këtë të dielë turin e tij me takime në të gjithë vendin. Këtë të dielë ishte në Burrel e Klos.
Gjatë vizitës në Klos, Basha zhvilloi takime me tregtarë e sipërmarrës të qytetit.
“Në Klos tregtarët presin blerësit e munguar, e ata pak blerës që erdhën marrin shumë pak gjëra pasi buxheti i vogël në dispozicion nuk ua mundëson të plotësojnë të gjitha nevojat e tyre. Ky është realiteti prej vitesh, dhe tregtarët detyrohen ti kthejnë sërish në shtëpi shumicën e produkteve të tyre. Ata përballen sot me vështirësi të shumta, që nga mungesa e mbështetjes për shtresat e varfëria, për sektorin e bujqësisë e blegtorisë, mungesën e tregut dhe vendeve të punës, çka ka sjellë dhe rënie të fuqisë blerëse.”, tha Basha.
E për të ndryshuar këtë situatë sipas Bashës “sot është jetike ti jepet fund pandëshkueshmërisë, të korruptuarit duhet të japin llogari para drejtësisë e paratë që u kanë marrë, shqiptarëve tu kthehen mbrapsht.”
Basha tha se lufta ndaj korrupsionit është jetike për Klosin dhe gjithë Shqipërinë.
Më herët, Basha ishte në Burrel.