Matematika ende e pengon, por Kombëtarja sipas projeksioneve të UEFA-s me 99% është kualifikuar në Gjermani 2024. Kuqezinjve u mjafton 1 pikë në nëntor kundër Moldavisë, por me rëndësi do jetë që të besuarit e Sylvinho-s të ruajnë vendin e parë.
Kjo sepse do ishte një bonus i madh kur më 2 dhjetor të hidhej shorti për fazën e grupeve të Europianit. Shqipëria do shortohej në vazon e dytë dhe të paktën në letër do të kishte mundësi më të mëdhaja për të avancuar më tej. Me këtë skenar do ishin dy kundërshtarë më të lehtë, por gjithsesi përcaktimi i vazove të grupeve është subjekt i rezultateve të ardhshme.
Aktualisht në vazon e parë përveç Gjermanisë organizatore janë Portugalia, Franca, Anglia, Belgjika, dhe Skocia. Në vazon e dytë bashkë me Shqipërinë janë Hungaria, Zvicra, Turqia, Sllovenia dhe Turqia. Të pestë këto kombëtare nuk do jenë rivale të Shqipërisë. Megjithatë kuqezinjtë nga vazo e tretë rrezikojnë përfaqësuese si Serbia, Spanja, Holanda, Kroacia, Danimarka dhe Rumania. Vazo e katërt ka ende shumë enigma, ndërsa kjo ndarje e përkohshme është e përcaktuar nga renditja e përgjithshme në këto kualifikuese. Shqipëria udhëheq grupin E kualifikues me 13 pikë, 4 më shumë se Polonia ndjekëse.
Ajo që nuk vlen për vendin e parë dhe të dytë në grup është se kush kombëtare kualifikohet për në Gjermani, UEFA e shpërblen me 9.25 milionë euro. Shifra marramendëse që mund të fryhen në bazë të rezultateve në Europian, por që federata shqiptare e ka ndjerë detyrim që një pjesë të madhe ta ndajë me futbollistët e kombëtares. /m.j