Dy të mitur janë arrestuar në Shkodër pasi janë kapur duke shitur doza kokaine në shkollë te bashkëmoshatarët e tyre.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Tempulli” në pranga kanë rënë E. H., 16 vjeç dhe G. Dh., 17 vjeç.
“Si rezultat i kontrollit të befasishëm nga shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me oficerët e sigurisë në shkolla, rezultoi se një 16-vjeçar posedonte brenda ambienteve të shkollës, një sasi dozash me lëndë narkotike kanabis dhe kokainë, si dhe një armë të ftohtë (thikë). Shërbimet e Policisë kanë kryer kontroll dhe në banesën e 17-vjeçarit (nxënës në një shkollë tjetër në Shkodër) që dyshohet se furnizonte me lëndë narkotike 16-vjeçarin”-njofton policia.
Gjatë kontrollit Policia gjeti dhe sekuestroi rreth 486 gramë kanabis në formë boçeje dhe disa doza kokaine.
Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara, për të identifikuar, kapur dhe arrestuar shtetasin që furnizonte 17-vjeçarin, me lëndë narkotike, për t’ia shitur bashkëmoshatarëve të tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksonit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme./m.j