Disa prej emrave të njohur të PS-së janë kundër referendumit që propozoi kryeministri Edi Rama për zgjidhjen e çështjes nëse do ketë zgjedhje për kreun e PS ose jo.
Deputeti Bashkim Fino në një interviste për News 24 është shprehur kundër referendumit. Ai vlerësoi statutin e ri të PS-së dhe tha se ai i zgjidh të gjitha problemet. “Statuti i ri që në vend të parë vë anëtarin e PS. Ka rregullat që eksperienca e viteve të fundit na ka lënë mundësinë t’i rrëgullojmë në statusin e ri. Të gjitha çështjet dhe problematikat e viteve të fundit, zgjidhen me statutin e ri. Mendoj se edhe ata pak kundërshtarë që kanë bërë propozime për statutin duhet të jenë të kënaqur. Ne e miratojmë statusin e ri me metoda e laburistëve anglezë. Jam kundër Ramës për referendum, pasi bie ndesh me statutin e ri”, tha Fino.
Përsa i përket incidentit në Elbasan me deputetin Blushi, Fino ka dënuar këtë akt dhe tha se Asambleja e Elbasanit duhet të mbajë përgjegjësi. Ai e ka quajtur absurde qëndrimin ndaj Blushit në Elbasan.
“Unë e dënoj një sjellje të tillë (fishkëllimat). Jemi parti që i dëgjojmë sugjerimet dhe vërejtjet. Ishin disa kokrra që duhet të mbajnë përgjegjësi personale dhe Asambleja e Elbasanit. Blushi personaliteti i PS, absurde që të trajtohet në këtë mënyrë”, tha Fino.