Shqipëria ka ndërruar fytyrë që prej ardhjes në pankinë të trajnerit brazilian, Silvinjo. Kuqezinjtë janë në rrugën e duhur për kualifikimin në “EURO 2024” dhe natyrisht, një meritë për këtë e ka edhe tekniku. Në një intervistë të dhënë për Reuters, Silvinjo ndalet të flasë për evidentimin e lojtarëve që mund të bëjnë mirë dhe për punën e madhe që bëhet jashtë fushës së blertë.
“Ne kemi tre finale përpara dhe duhet të përballemi me të njëjtin qeëndrim që kemi pasur deri më tani. Gjithçka fillon të enjten. Ne jemi të vetëdijshëm për entuziazmin e tifozëve tanë, por lojtarët e dinë se ky është skenari i jashtëm, diçka që ne nuk mund ta kontrollojmë. Ata janë absolutisht të qetë dhe të ndërgjegjshëm.
Një fitore të enjten do të ishte një hap i madh drejt kualifikimit tonë të shumëpritur. Është jashtëzakonisht e rëndësishme, por ende nuk është përcaktuese. Ne patëm një shans të vërtetë për t’u rikthyer me një rezultat më të mirë nga ajo ndeshje, por gjëja më e rëndësishme që morëm nga debutimi ishte se u lidhëm me lojtarët dhe ata e kuptuan menjëherë se çfarë donim.
Sigurisht që ne duam të jemi një ekip i mirë organizuar, të shënojmë gola të mëdhenj, të ndërtojmë lojëra të bukura, por unë insistoj në idenë që kjo skuadër duhet të ruajë identitetin e saj, domethënë shpirtin luftarak.
Vullneti, guximi dhe qendrimi në çdo lojë. Kjo është diçka që lojtarët e kuptuan që nga fillimi. Duhej të jetonim në Tiranë për të zhvilluar punën tonë. Udhëtojmë shumë, takohemi me lojtarët, por databaza që kemi nga FA e Shqipërisë në Tiranë është e paçmueshme. Nëse nuk do të ishim këtu, ndoshta nuk do të kishim gjetur Jasir Asanin.
Janë miliona shqiptarë… që jetojnë në mbarë botën. Ne po kërkonim një anësor të djathtë me këmbë të majtë dhe gjetëm Asanin. Na pëlqeu ajo që pamë menjëherë dhe ai ka qenë i mrekullueshëm për ne. Filozofia jonë është të tërheqim lojtarët me punën tonë. Lërini rezultatet, projektin dhe strukturën që po ndërtojmë të flasin për ne dhe të prekin zemrën dhe shpirtin e lojtarëve shqiptarë jashtë vendit, në mënyrë që ata të ndjejnë thirrjen për t’u kthyer në shtëpi”, deklaroi Silvinjo./m.j