Klinikat stomatologjike dhe ato të shërbimeve jetike për qytetarët duhet të detyrohen me ligj që të akreditohen në shtet, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimeve për garancinë e shërbimit që japin. Shqetësimi u ngrit nga deputeti Erjon Braçe në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.
‘Sigurinë e ashensorëve, është akredituar kjo kompani koncesionare sepse gjatë verës patëm një rast shumë fatkeq ku një i modifikuar si ashensor vrau një punëtor? Mendoj se duhet ta zgjidhim me ligj detyrimin për tu akredituar sepse s’mund ta lëmë vetëm vullnetar ja ku na doli rasti i klinikave stomatologjike po këto duhet ti lëmë të akreditohen apo jo, njerëzit po vdesin, nuk mund ta lëmë vullnetare, fakultative. Edhe tek ushqimi ka problematikë, themi eksporti i vajit të ullirit, por standardi është standard dhe nuk e miratojmë dot me udhëzim të ministrit të bujqësisë?
Kush ka 5 lekë fillon hap klinika duke mos garantuar cilësinë shërbimit që ofron dhe detyra është e juaja për të garantuar shërbimin e institucioneve privat edhe në kushte kur nuk ka legjislacion, nismëtarët duhet të jeni ju që këto sektorë të vihen në binarët e rregullit dhe ligjit të mos lihen pa kontroll”, tha deputeti Edmond Braho.
Drejtoresha e Akreditimeve Pranvera Fagu thotë se ligji aktual nuk i detyron subjektet të vijnë të garantojnë me standarde shërbimet, por i lë ata që ta bëjnë vullnetarisht, përveç rasteve kur e kanë të përcaktuar në kontrata koncesionare kushtin që duhet të kenë akreditimin e shtetit.
‘Pjesa e akreditimit është vullnetar. Në rastin e koncesioneve është pjesë e detyrimit të tyre. Nëse është e parashikuar në kontratën koncesionare ato kanë detyrimin të akreditohen. Si në rastin e laboratorëve mjekësorë. Nëse kontrata koncensionare përcakton që ato duhet të akreditohen ato kanë detyrim të vijnë”, u shpreh ajo.
Deputetët kërkojnë që Drejtoria e Akreditimeve dhe Ministria e Financave të paraqesë pranë Kuvendit ndryshimet ligjore për këto shërbimet me rrezik jetik për qytetarët.
“Ne kemi detyrimin të kryejmë akreditimin, jo të detyrojmë subjektet ta bëjnë sepse janë të gjithë sektorët e ekonomisë dhe duhet të bëhen ligje sektoriale që i detyron ato të vijën të akreditohen”, tha Fagu.
“Si institucion ombrellë ju duhet të ngrini shqetësimin që këto sektorë kanë nevojë për ligje specifike dhe nuk mjafton ligji aktual”, u shpreh Braho.
Komisioni i Ekonomisë miratoi ndryshimet e ligjit për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit duke e përafruar me direktivat e BE, por nevoja emergjenca shtrohet për këto ligje specifike pas rasteve të rënda të humbjes së jetës, si ai i 3-vjeçarit Brian Spahiu pas një ndërhyrjes në 14 dhëmballë në klinikë private.
/f.s