Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 31-vjeçar me akuzën e vjedhjes me dhunë të një personi. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në lagjen “Vasil Shanto” në Tiranë.
Sipas bluve, i arrestuari Ergys Piraniqi, banues në Shkodër ka ushtruar dhunë fizike ndaj shtetasit me iniciale E. S. 34 vjeç, banues në Velçan të Librazhdit dhe i ka marrë me forcë një sasi prej 300 euro, 60 mijë lekë të vjetra, pasaportën e tij biometrike, kartën e identitetit dhe një aparat celular të markës SONY.
Në cilesinë e provës materiale, 31 vjeçarit të arrestuar iu sekuestruan aparati celular i markes SONY bashkë me kartën telefonike, pasaporta biometrike dhe karta e identitet në emër të shtetasit E. S, një kartmonedhë me prerje 2 mijë lekë dhe një kartmonedhë me prerje 5 euro.
Materialet i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale të “Vjedhje me dhunë”.