Nga Rudina Koromani
Tema për Ditën Botërore të Shëndetit Mendor për këtë vit, 10 tetor 2023, është zgjedhur fokusi i rritjes së kujdesit të mirqënies së individit nën sloganin “Shëndeti mendor është një e drejtë universale e njeriut”.
Synimi i OBSH-së kërkon të gjenerojë ndërgjegjësim dhe të inkurajojë përpjekjet që mbështesin dhe mbrojnë shëndetin mendor të çdo individi si një e drejtë themelore e njeriut duke përfshirë rritjen e ndërgjegjësimit për kushte cilësore të shëndetit mendor dhe menaxhimin efikas të tyre, luftimin e stigmës, rrëzimin e miteve dhe inkurajimin e njerëzve që të kërkojnë ndihmë për shqetësimet e tyre të shëndetit mendor pa u ndjerë në ankth apo siklet.
Ndonëse ndërgjegjësime të tilla janë kryer e kanë dhënë rezultate pozitive teksa shohim rritje gjithnjë e më të madhe në kërkesën për këto shërbime, sërisht mbetet shumë për të bërë teksa shohim në klinika raste që vijnë në momentet “ ku nuk mban më” apo mbasi kanë përfunduar në urgjenca për një krizë psikotike apo Atak Paniku. Edhe pse ndërgjegjësimi për një stil të shnëdetshëm jetese është bërë trend dekadën e fundit, ku palestra, joga e ushqyerja me produkete bio dominojnë, e ku kërkimi i ndihmës së specializuar nuk mungon për macet e qentë, ende individi e ka të vështirë të kërkojë në kohë ndihmë të specializuar për problemet psikologjike që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e tij të përditshëm.
Çdo ditë përballemi me raste të rënduara klinike që kërkojnë ndihmë për ngjarje që u kanë ndodhur shumë vite më parë, të cilët kanë injoruar prej vitesh shenjat dhe simptomat shqetësuese.
Çfarë i ka penguar ? Pse nuk kërkuan ndihmë psikologjike kur i pikasën shenjat e para?
Pse shumë njerëz hezitojnë të shkojnë në kohë te psikologu? Pse vijnë në momentet e fundit në dyert e psikologëve?
Faktorët psikologjikë pengues për të kërkuar ndihmë tek psikologu janë të shumtë: frika, turpi, mungesa aftësisë për të njohur e kuptuar problemet e vetes, vetëdija e kufizuar, ndjenjat e papërshtashmërisë, mosbesimi ndaj shërbimeve, pashpresshmëria në rastet e individëve që vuajnë depresionin, etj. Frazat më të shpeshta që thuhen në raste të tilla “unë nuk jam i çmendur..”, “ unë jam i rritur e nuk kam nevojë të ndihmohem”, “unë kam shkollë të lartë, drejtoj kompani, menaxhoj njerëz e spo rregullokam dot veten time” janë vetëpengimet që individi i bën vetes duke u shtyrë në limite …deri ditën kur e gjen veten në dyert e urgjencës me frikën fatale “ Po vdes..”Ashtu sic shprehet Karl Jung:” Individi shkon në kufijtë e absurdit vetëm për të shmangur përballjen me shpirtin e tyre”
E vërteta është se të gjithë, pa marrë parasysh sa të pjekur, të aftë apo të shkolluar janë, kanë nevojë për ndihmë herë pas here, për të tejkaluar disa vështirësi që hasim në jetë. Disa syresh mendojnë se të kërkosh ndihmë do të thotë të thotë se “janë të dobët, dembel apo të dështuar” teksa harrojnë se çrregullimet psikologjike nuk kursejnë askënd dhe se nuk janë asesi tregues i një dështimi personal por tregues i një ndërgjegjësimi dhe vlerësimi për mirqënien e vetes. Fatkeqësisht, Stigmat shoqërore dhe vetë Vetja jonë janë armiqtë tanë më të mëdhenj.
*Psikologe Klinike, #rudinakoromani #psikologeklinike #psikoterapi #ditaboterore_shendetitmendor2023