Në Sinagogën e Tiranës duhet të ishte një atmosferë feste, pasi hebrenjtë kanë festen e tyre të shenjtë që zgjat plot 8 ditë.
Por kjo festë u ndërpre nga sulmi i Hamasit mbrëmjen e së premtes.
Tashmë Sinagoga është kthyer në një bazë, ku të gjithë izraelitët po mblidhen për të gjetur një mundësi që të kthehen në vendin e tyre dhe t’i bashkohen luftës për të eliminuar njëherë e mirë terrorizmin e Hamasit nga rrënjët.
“Njerëzit erdhën për të vizituar Shqipërinë dhe turi ndaloi. Kemi pasur dje mbi 20 ushtarë që duhej të shkonin urgjentisht te bazat e tyre dhe ne mundëm t’i nisnim. Kemi familje këtu. Ka burra që janë nisur përpara dhe kanë lënë pas gruan dhe fëmijët. Ne po mundohemi t’i gjejmë atyre një rrugë kthimi me çdo mundësi. Kjo është një luftë kundër terrorit. Hamasi sulmoi në ditën më të shenjtë të hebrenjve dhe po vazhdojnë të vrasin civilë në mënyrë të pajustifikueshme, fëmijë e gra. Kjo është agjendë terrori. Unë kam djalin në ushtri por edhe vetë pasi të mbaroj misionin këtu do t’i bashkohem ushtrisë. Kemi shume detyrime ndaj vendit tonë, që për ne është i shenjtë. Duam vetëm që familjet të jetojnë në paqe, të pijnë kafen e tyre në mëngjes dhe mos t’i vrasë njeri, fëmijët të luajnë të lumtur. Izraeli është shtet i paqes, sigurisë dhe demokracisë. Për këto vlera po luftojmë”, tha kryerabi i Shqipërisë, Yoel Kaplin,
“Erdha në Shqipëri për të vizituar bashkë me disa shokët e mi. Unë jam një student mjekësie, por tani dua te gjej një mënyrë të kthehem në vendin tim dhe të luftoj si ushtar. Hamasi po i rrëmben shokët e mi, disa të tjerë i ka vrarë. Unë nuk kam frikë nga vdekja dhe tani e vetmja gjë në mendjen time është si të bej çdo gjë për të mbrojtur familjen dhe shokët e mi. Izraelitë nga e gjithë bota po mobilizohen që t’i bashkohen luftës. Kjo është më e madhe se ne, sepse nuk është një luftë për më shumë toka apo për burime nafte, është lufte për ekzistencën e Izraelit, për ekzistencën tonë si hebrenj”, tha izraeliti.
Izraeli do të jetojë përgjithmonë. Kjo shprehje, ky besim dhe këto vlera nuk i trembin izraelitët përballë vdekjes. Ata duan një jetë të sigurt për veten dhe fëmijët e tyre dhe për këtë janë gati të lënë sigurinë dhe paqen e Shqipërisë për të dërguar deri në fund idealin e tyre.
/a.r