Mazhoranca me opozitën është në prag të konfliktit të radhës që mund të përfundojë në dyert e Gjykatës Kushtetuese. Procedura e miratimit të ligjit për shtetësinë konsiderohet nga opozita si antikushtetuese pasi disa nga nenet e aktit, të paraqitura nga socialistët, u konsideruan të miratuara ndonëse morën një shumicë të thjeshtë votash, pa arritur pragun e shumicës së cilësuar që kërkonte ligji në fjalë.
Bëhet fjalë për 4 nga 5 propozime që nuk kaluan përmes diskutimit në komisione parlamentare, por u paraqitën nga PS-ja direkt në seancë plenare. Prej tyre, vetëm njëri mori 90 vota, ndërsa katër të tjerë ranë poshtë pragut të nevojshëm.
Prej tri javësh, demokrati Bylykbashi ngul këmbë se ky detyrim kushtetues nuk është respektuar, gjë që sipas tij përbën edhe një precedent të rrezikshëm parlamentar, nëse do të legjitimohej.
Thirrja e tij, deri tani, është injoruar nga drejtuesja e Parlamentit, ndaj Bylykbashi shpreson që pretendimet e tij juridike t’i shqyrtojë zyra e Presidentit të Republikës, i cili jep ose jo pëlqimin e tij për një ligj para se të hyjë në fuqi.
Afati kushtetues është 20 ditë nga data e dërgimit të nismës në Presidencë, çka do të thotë se kreu i shtetit ka ende disa ditë kohë përpara se sa të flasë me dekret apo me heshtje./f.s