Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi se Paketa e Sigurisë do të përfshijë edhe Qytetin Studenti.
Balla së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë zhvilluan një vizitë inspektuese në Qytetin Studenti, i cili ka hapur dyert për qindra të rinj me nisjen e vitit të ri akademik.
Fokusi kryesor u shpreh Balla do të jetë lufta kundër trafikut të drogës, ndërsa siguroi prindërit për një tjetër nivel sigurie.
“Dua që këtë vit, Paketën e Sigurisë në Shkolla ta shtrijmë edhe te Qyteti Studenti, i cili është i mirëfilltë, një qytet më vete. Ai mirëpret studentë, konviktorë nga gjithë Shqipëria dhe jo vetëm, sepse kemi, besoj edhe nga trojet shqiptare, të cilët vijnë dhe frekuentojnë universitetin. Në këtë kujdes të veçantë që kemi përfshirë brenda Paketës, ta përfshijmë edhe Qytetin Studenti, qoftë për problematikat që lidhen me qarkullimin rrugor, ku duhet të kemi një kujdes të veçantë, por fokusi është lufta kundër drogës.
Ne duam që këtë perimetër sigurie ta shtrijmë edhe jashtë konvikteve ose jashtë ndërtesave në mënyrë që të garantojmë një perimetër sigurie funksional dhe të garantojmë, e këtu dua t’u flas drejtpërdrejt të gjithë prindërve, familjarëve të djemve dhe vajzave që kanë ardhur këtu dhe tashmë janë në besën tënde dhe në besën tonë, që ne do të kujdesemi për ta që brenda këtij perimetri sigurie të mos kemi problematika që lidhen me kriminalitetin, me fenomenin e përdorimit apo shpërndarjes së lëndëve narkotike”, u shpreh ministri i Brendshëm./m.j