Reagon Bashkia e Tiranës lidhur me problematikën dhe situatën financiare të klubit të futbollit “Tirana”. Përmes një deklarate për shtyp, Bashkia sqaron se klubi funksionon si një ndërmarrje aksionare dhe bashkia është në minorancë, duke qenë se zotëron vetëm 34% të aksioneve të klubit. Në deklaratë nënvizohet se gjatë kësaj kohe, klubi “Tirana” ka marrë në përdorim nga Bashkia e Tiranës edhe një grup asetesh si: Stadiumi “Selman Stërmasi” dhe stadiumi “Skënder Halili”, të cilët respektivisht janë të pajisur me nga një terren sportiv dhe fusha trajnimi. Ndonëse Bashkia e Tiranës është aksionere e klubit të futbollit Tirana vetëm 34%, kryebashkiaku Erion Veliaj i ka bërë thirrje bordit drejtues, që të zhvillojnë sa më shpejt mbledhjen e asamblesë së klubit, për të vendosur mbi një drejtim më të mirë menaxherial. “Prej disa javësh, kryetari i Bashkisë së Tiranës u ka kërkuar shumicës së aksionerëve të sport klubit “Tirana”, të cilët përfaqësohen nga administratori, Refik Halili, që të zhvillojnë sa më shpejt mbledhjen e asamblesë së klubit për të marrë vendimet e nevojshme lidhur me situatën aktuale financiare, si pasojë e një drejtimi jo të mirë menaxherial”, vijon deklarata. Bashkia e Tiranës thekson gjithashtu se shqetësimin për keqadministrimin financiar të klubit Tirana e ka shprehur edhe vetë kryebashkiaku Erion Veliaj. “Kur dëgjoj gjëra të natyrës: “na duhen 130 mijë euro për një lojtar që ka luajtur vetëm 7 minuta në Shqipëri”, sigurisht që paratë e taksapaguesve të Tiranës, nuk mund t’i administroj shkel e shko”. “130 mijë euro për 7 minuta, besoj as Ronaldo nuk i kërkon! Ajo që kam kërkuar e premtuar si kryetar bashkie është që t’i ndihmojmë të gjitha ekipet”, është shprehur kryebashkiaku, Erion Veliaj.