Rezoluta për Kosovën ka përplasur ministrin Balla dhe deputetin Bardhi përsa i përket hetimeve që duhen kryer në lidhje me sulmin në Bnjaskë.
Nga salla e Kuvendit, Balla është shprehur se Shqipëria ka nevojë për të miratuar një qëndrim të unifikuar, ku sipas tij, qëndrimi i PS-së është më korrekti për të dënuar sulmin.
Nga ana tjetër edhe Bardhi bie dakord me një qëndrim të unifikuar, por nuk bie dakord që të jetë edhe Serbia shteti që do të kryejë hetime në lidhje me sulmin në veri të Kosovës.
Taulant Balla: Qëndrimet e kryeministrit Rama janë qëndrimet e duhura në këtë kohë të vështirë. Më vjen keq me përpjekjen e opozitës për të krijuar një situatë të pakuptimtë në Kuvendin e Shqipërisë, që duhet të ketë një mesazh të përbashkimit. Meqë njëri këtu tha që “duam debat’, për çfarë e duan debatin? Në Kosovë nuk patën debat, folën vetëm krerët e grupeve parlamentare. Ju nuk keni hallin e Kosovës, por keni hall të sulmoni Ramën. Nuk mund ta keni ju hallin e Kosovës. Zonja kryetare e Kuvendit, propozimi në këtë situatë duhet të ishte miratimi i një ore më parë i rezolutës pa debat. Shqipëria ka nevojë për të miratuar një qëndrim që në rezolutën tonë është qëndrimi më korrekt të dënojë sulmin.
Gazment Bardhi: Ne kemi kërkuar mocionin me debat, jo për të sulmuar ndokënd, por për t’u distancuar nga qëndrimi skandaloz i kryeministrit në raport me Kosovën. Ka një rezolutë nga PD dhe do të ishte në nderin e Kuvendi të unifikonim qëndrimin me deputetët e Kuvendit të Kosovës. Për çështje kombëtare ne nuk duhet të kemi asnjë diferencë. Nuk do të pranojmë që qëndrimi i Serbisë të përfshihet në rezolutën që do të miratojë Kuvendi i Shqipërisë. Rezoluta juaj thotë që “Serbia do të duhet të kryejë hetime”, kurse ne themi “Jo” “Kosova duhet të kryejë hetime” dhe ne do të mbështesim qëndrimin e Kosovës.
/a.r