I ftuar mbrëmjen e kësaj të marte në studion e Opinion, ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj foli edhe për marrëdhënien mes dy kryeministrave, Albin Kurti dhe Edi Rama. Për Haradinajn, është e turpshme që kryeministri i Kosovës nuk e priti homologun e tij shqiptar kur ky i fundit shkoi për vizitë në Prishtinë. Teksa pranoi mosmarrëveshjet me Ramën gjatë kohës kur vetë Haradinaj mbante detyrën e kryeministrit, ai theksoi se “…kurrë nuk ka ndodhur me ardhur kryeministri i Shqipërisë në Kosovë e me ik kryeministri i Kosovës. Ky është një turp nga kryeministrin Kurti”. Po ashtu, ai bëri apel që dy liderët të kthjellohen pas zhvillimeve të fundit në veri.
-Që prej 24 viteve, nuk ka pasur asnjëherë marrëdhënie më të tensionuara midis Shqipërisë dhe Kosovës, institucionalisht. Raportet mes Kurtit dhe Ramës janë shumë të këqija, edhe pse me diplomaci flasin për vëllain e madh dhe vëllain e vogël. Edhe pse Rama i thotë i Bini dhe Bini i ikën Ramës, nuk e takon në Prishtinë. E gjithë situata është tejet dramatike kur e sheh nga këndvështrimi sesi duhet të jenë dy kryeministra të dy vendeve që janë një komb. Çfarë ka ndodhur?
Ramush Haradinaj: Nuk pajtohem me ty Blendi, nuk janë të tensionuara, nuk ka marrëdhënie hiç.
-Po akoma më keq.
Ramush Haradinaj: Po, por s’ka, nuk ekzistojnë fare.
-Çfarë po ndodh? Në momentet e para të tensionit sipas informacioneve të mia, nuk kishte as ngritje telefoni nga qeveria e Kosovës, as për Kryeministrin, as për Presidentin. E njëjta gjë vlen në drejtim të kundërt. Çfarë po ndodh? Po pse, raportet Shqipëri-Kosovës, inatet mes dy personave janë?
Ramush Haradinaj: Gjatë kohës time ka pasur tensione me Kryeministrin Rama, por kurrë nuk ka ndodhur që me ardhur kryeministri në Kosovë e mos me e prit kryeministri apo e anasjellta.
–Ju vetëm sa boksuat me njeri-tjetrin, se edhe mund të ishit rrahur me grushta. Ju dhe Rama ishit po në të njëjtën situatë jo si kjo. Jo mungesë komunikimi, por gati për t’u rrahur.
Ramush Haradinaj: Jo-jo-jo. Kishim komunikim, por dhe kishim mospajtime. Mirëpo asnjëherë nuk e ndërprisnim komunikimin gjatë kohës së punës tonë dhe në çdo situatë jemi takuar. Ka ardhur, kam ardhur, jemi takuar nuk jemi pajtuar. Kemi pasur darka, dreka, takime jo formale.
–Cili ishte thelbi i mosmarrëveshjes tuaj me Ramën?
Ramush Haradinaj: Mendoj që është një sjellje jo e mirë për shembull e kryeministrit Kurti, kur ka ardhur kryeministri i Shqipërisë në Prishtinë dhe ai nuk e ka pritur. Mendoj se është një sjellje jo e mirë…
–Ishte i zënë mesa kujtoj unë…
Ramush Haradinaj: Ju lutem, kjo është turp, për Kosovën mos me e prit, kushdo qoftë kryeministri i Shqipërisë, çkado që vepron ai. Kur vjen kryeministri i shtetit shqiptar… Nuk po pret kryeministrin e shtetit shqiptar, po pret kryeministrin, flamurin, nuk guxon me ik, është e paprecedentë, është turp që e ka bërë. E kisha lutur edhe Kryeministrin Rama, edhe Kurtin, për shkak të këtyre zhvillimeve të fundit, të kthjellohen. Ata duhet me u dëgjuar njëherë në ditë në këtë situatë, edhe duhet të takohen për konsulta, qoftë edhe pa media edhe me shkëmbyer informata qoftë edhe pa media.
Shqipëria është anëtare e NATO-s, ka trupa dhe inteligjencë në Kosovë. Shqipëria ka akses nga ana që diskutohen nëpër forumet e NATO-s. Kryeministri i Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë duhet të shkëmbejnë informatat, duhet të dinë se çfarë mund të ndodhë, t’i kenë qëndrimet e qarta sesi të përballen me situatën që po ndodh.
–Historia e shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës nuk është histori e mosmarrëveshjeve të dy personave, është historia e të qenit një komb për 100 vjet.
Ramush Haradinaj: Ne kemi pushuar çdo aktivitetet opozitar rutinë, unë sot fokusimin më të madh e kam te çështja e sigurisë. Sikurse e patë ftesës së presidentes iu përgjigja menjëherë. Sot kemi mbajtur një tryezë si grup parlamentar ku kemi ftuar të gjitha partitë pa përkatësi partiake, siguria është nacionale.
–Ju bëtë përgjegjës Kurtin për mos pritjen e Ramës, por nga ana tjetër edhe kur ju keni qenë kryeministër Rama ka qenë problematik në raportin me ju. A ka përgjegjësi Rama në këtë raport?
Ramush Haradinaj: Unë nuk thashë që nuk kemi pasur thyerjet tona, mospajtimet tona, tensionet tona. Po kurrë nuk ka ndodhur me ardhur kryeministri i Shqipërisë në Kosovë e me ik kryeministri i Kosovës. Ky është një turp nga kryeministri Kurti.
/a.r