Juristi Kreshnik Spahiu tha në një intervistë për “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania se nuk ka asnjë shans që Milan Radoiçiç, i akuzuar për sulmin e 24 shtatorit në Veri, të ekstradohet drejt Kosovës.
Sipas tij Serbia pretendon që prokuroria serbe është brenda kompetencave dhe juridiksionit të vet duke qenë se nuk e njeh Kosovën si shtet.
“Mendoj që ishin minuta të humbura kot në debatin nëse do të ekstradohet apo jo Radoiçiç në Kosovë. Radoiçiç nuk ka as zero shanse, por as minus 100% shanse që të ekstradohet për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Pra, nuk mundet ta ekstradojë në një shtet që nuk e njeh juridikisht dhe diplomatikisht. Pra, ajo njeh territorin ku është kryer krimi si territor të Serbisë. Pra, ata pretendojnë që prokuroria serbe është brenda kompetencave dhe juridiksionit të vet. Marrëdhëniet e ekstradimit janë marrëdhënie shumë të ndërlikuara edhe në shtetet sovrane,” – u shpreh Spahiu.