Organi administrativ shtetëror apo siç njihet ndryshe komisioni i policisë rrugore do të shkrihet. Një grup pune i përbërë nga specialistë të uniformave blu dhe atyre të ministrisë së tranporteve, pritet të nisin së shpjeti punën për ndryshimet e nevojshme në kodin rrugor.
Sipas ekspertëve shkrirja e këtyre komisioneve që janë kthyer në makth për qytetarët, është një vendim i vonuar në kushtet kur gjykatat administrative kanë më shumë se 3 vjet që funksionojnë.
“Unë mendoj që është një pozitivitet dhe qyetarët nuk do të sorrollaten më, dhe mbi të gjitha nuk do të interpretojë një oficer që ka mbaruar shkollën e rendit, ligjin që është tagër ligjor i jurisitit, gjyqtarit, prokurorit. Risia e heqjes së këtij komisioni dhe vendosjes që të gjitha problemet shkojnë në gjykatën administrative, si të them, heq ndikimin që një masë që e ka marrë polici rrugor, vete te shefi i tij dhe vendos dhe ai kështu. Tani largohemi drejt kësaj dhe nëse qytetarit i takon e fiton atje”, thotë Artur Sulçe, ekspert i sigurisë rrugore.
Shkrirja e komisioneve, do ti japë një rol kyç efektivëve të policisë rrugore në terren. Me kodin aktual ata nuk mund të vendosin gjobë në vlerën më shumë se 5 mijë lek të reja ndërsa masa e pezullimit të patentës është atribut i OASH-ve. TCh