Gazetarja e njohur e CNN, Christiane Amanpour, intervistoi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë. Ky i fundit pranoi se trupat ushtarake janë tërhequr nga kufiri mes dyja vendeve, pas thirrjeve nga SHBA dhe BE, teksa u justifikua me faktin se për manovrat ushtarake vendosin drejtuesit e ushtrisë dhe jo ai. Vuçiç tha se kurrsesi nuk dëshiron një luftë me Kosovën, pasi do të ishte një konflikt me NATO-n.
“Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar tani. Ne duam të shohim një prani më të madhe të KFOR-it në Kosovë”, u shpreh presidenti serb.
Pyetjes së Amanpour nëse organizatori i sulmit në Banjskë, Milan Radojçiç, do të vihej para drejtësisë, ai u përgjigj duke thënë se drejtësia do të bëjë punën e saj, por pa konfirmuar nëse do ta dorëzojë atë tek autoritet e Kosovës.
“Problemi është se serbët donin të mbroheshin dhe unë nuk do të mbroj vrasjen e një polici shqiptar, nuk e bëra. E dënova”, nënvizoi Vuçiç.
Ai akuzoi Prishtinën se po kryen “spastrim gradual etnik” në veri, për të cilin Amanpour tha se Bashkimi Europian dhe SHBA nuk pajtohen me këtë vlerësim.
Ajo i ka kujtuar Vuçiçit se pas negociatave në Ohër ka thënë se nuk e ka nënshkruar marrëveshjen sepse “i dhemb krahu”, dhe e ka pyetur nëse ka ende dhimbje apo është gati për marrëveshje, për të cilën Vuçiç ka thënë se Serbia është konstruktive dhe këtë e kanë thënë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë Josep Borrel dhe Miroslav Lajçak.
“Kam bërë gjithçka që u kam thënë miqve tanë nga SHBA-ja dhe BE-ja se do të bëj, dhe ekziston kushtetuta e Serbisë dhe duhet ta respektoj atë”, tha Vuçiç.
“Mos fusni fjalë në gojën time që si kam thënë unë”, u përgjigj Vuçiç, mjaft i irrituar. Në fund u pyet edhe nëse mbështet mesazhin e sportistit Novak Gjokoviç, ku gjatë një eventi shkruajti në kamera “Kosova është zemra e Serbisë”, duke u përgjigjur se është një ide që e përkrah 99% e popullatës në Serbi, duke lënë te kuptohet, përfshirë vetë atë./m.j