Ambasadorja Gjermane Angelica Viets, është diplomatja e parë në Kosovë që ka dalë me një propozim konkret për tejkalimin e krizës politike në vend. Idenë e saj, Viets e ka elaboruar gjatë një interviste për Gazetën Express, ku ka folur edhe për tema tjera aktuale në Kosovë. Por, cila është ideja e saj që mund t’u hyjë në punë shefave të partive politike për ta nxjerrë vendin nga kriza? Diplomatja gjermane ka theksuar se pasi liderët e partive politike nuk flasin mes veti, mënyra më e mirë për të tejkalur këtë situatë është formimi i një Komisioni Ndërmjetësimi që do të drejtohej nga Presidenti i Kosovës ose nga ndonjë personalitet që është i pranueshëm për palët.
Duke folur për seancën e zgjedhjes së Presidentit, ajo ka kundërshtuar fuqishëm hedhjen e gazit nga opozita, mirëpo nuk pajtohet me idenë që për krizën fajtorë janë vetëm ata. Ndërkohë që ka thënë se Berlini do ta urojë Hashim Thaçin, pasi ai ta marrë detyrën zyrtarisht. E pyetur rreth korrupsionit dhe krimit të organizuar diplomatja gjermane ka thënë se ky është një problem shekullor i Kosovës, që mund të zgjidhet vetëm duke hequr dorë nga mentaliteti klanor. Përfaqësuesja diplomatike e Berlinit në Prishtinë nuk është edhe aq optimiste rreth liberalizimit të vizave për Kosovën. Por, mundësia që të ndodhë liberalizimi i vizave, nuk ka qenë asnjëherë më afër për Kosovën.