Media britanike The Independent ka raportuar sot se djali 25-vjeçar i Yevgeny Prigozhin pritet të marrë detyrën nga babai i tij dhe do të bëhet kreu i ardhshëm i grupit Wagner.
Pavel Prigozhin duket se po trashëgon shumicën dërrmuese të pasurisë së babait të tij, duke përfshirë këtu grupin mercenar, pronat dhe rreth 100 milionë paundë, sipas një fotografie të postuar në rrjetet sociale të atij që raportohet të jetë testamenti i ish-kreut të Wagner, raporton The Independent.
Tani ai ka nisur negociatat me gardën kombëtare ruse, Rosgvardia, për ribashkimin e organizatës mercenare në luftimet në Ukrainë, tha Instituti për Studimin e Luftës.
Në një raport mbi Rusinë të publikuar të dielën thuhet se: “Një kanal i njohur Telegram i lidhur me Wagner njoftoi më 1 tetor se djali 25-vjeçar i Yevgeny Prigozhin, Pavel Prigozhin ka marrë “komandën” e Grupit Wagner dhe është duke negociuar me Rosgvardia për ribashkimin e Grupit Wagner në operacionet luftarake në Ukrainë”.
Ish-kreu i Wagner, Yevgeny Prigozhin grumbulloi një pasuri të madhe përpara se të themelonte Grupin Wagner, aleat të Kremlinit, i cili mbështeti luftën e Rusisë në Ukrainë me shërbimet e tyre.
Megjithatë, në gusht, dy muaj pasi 62-vjeçari udhëhoqi ushtrinë e tij private në një rebelim të dështuar kundër udhëheqjes ushtarake ruse, ai vdiq në një aksident ajror pranë Moskës. Shkaku i incidentit ende nuk është përcaktuar.
Sipas dokumentit të shpërndarë, Prigozhin kishte një testament që ishte noterizuar më 2 mars sipas tij i linte pas pjesën më të madhe të pasurisë djalit të Prigozhin, Pavel. Sipas The Times , në të shkruhet:
“E gjithë pasuria ime si dhe pronat që mund të fitohen nga unë në të ardhmen, ia lë trashëgim Pavel Evgenyevich Prigozhin”.
Krahas Grupit Wagner, Pavel do të trashëgojë rreth 100 milionë paundë, një shtëpi në Shën Petersburg, nëntë shoqëri aksionare dhe aksione në Concord dhe perandorinë e hotelierisë së ngritur nga Yevgeny Prigozhin./m.j