Kishte shkuar në Greqi pas divorcit, me dy fëmijët e saj në ngarkim për të cilët punonte orar e pa orar, nga mëngjesi e deri në mbrëmje vonë, kur i ofrohej punë si pastruese. Është kjo historia fatkeqe e gruas shqiptare, e identifikuar si Lubiana, e cila humbi jetën teksa po punonte në një fabrikë për përpunimin e mishit në zonën e Meselongjit në Greqi, teksa u masakrua nga pajisja e grirjes së mishit.
Vajza e saj ka qenë prezente në momentin fatal, ndërsa pa të ëmën të humbiste jetën në mënyrë makabre. E reja është dërguar në spital për shkak të traumës që ka pësuar. Policia arrestoi pronarin e fabrikës ku ndodhi ngjarja e rëndë, nën akuzën e vrasjes nga pakujdesia.
Postimi i fundit në rrjetet sociale
Gruaja fatkeqe pak orë para se të vdiste kishte bërë një postim në gjuhën shqipe në llogarinë e saj personale në Facebook, ku shkruante: “Është e vështirë të presësh diçka, e cila mund të mos ndodhë kurrë. Por është edhe më e vështirë të heqësh dorë nëse kjo është e vetmja gjë që dëshiron”.