Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan të premten Serbisë që të tërheq trupat ushtarake të vendosura në kufirin me Republikën e Kosovës.
Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Kirby deklaroi për gazetarët se Uashingtoni po e vëzhgon prezencën ushtarake serbe, por qëllimin e këtij veprimi nuk mund ta thonë tani.
“Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, tha Kirby.
Për sulmin e 24 shtatorit, zyrtari i lartë amerikan theksoi se kishte “një nivel të lartë të sofistikimit se nuk duket se “ishte një grup personash që u mblodhën dhe vendosën” të sulmonin.
Ndërkohë Mbretëria e Bashkuar po reagon në terren duke dërguar në Kosovë një komandë të njohur si “Tigrat”.
“Për shkak të situatës aktuale në Kosovë, ne i kemi transferuar NATO-s komandën e Batalionit të Parë të Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit – një forcë rezervë për Forcën Kosovare të NATO-s (KFOR) – në mënyrë që të mund të ofrojë mbështetje nëse kërkohet.”
Edhe Gjermania reagoi ashpër ndaj krahasimit që Beogradi po i bën vrasjes së policit të Kosovës me vrasjen e terroristëve serbë. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane u shpreh se “është irrituese të shohësh se si presidenti serb “deklaron se fajtorët janë viktima”.